Transmetuar më 17-07-2026, 16:51

Një kapiten shqiptar i një trageti pasagjerësh është arrestuar në portin e Korfuzit, pasi autoritetet greke konstatuan se anija kishte në bord më shumë pasagjerë sesa lejonte certifikata e lundrimit.

Sipas informacioneve të bëra publike nga autoritetet portuale greke, kapiteni është një 45-vjeçar shqiptar, drejtues i një trageti me flamur të Saint Kitts and Nevis, i cili kishte mbërritur në Korfuz nga një port në Shqipëri.

Pas mbërritjes së mjetit lundrues në port, oficerët e Autoritetit Qendror Portual të Korfuzit kryen kontrollin dhe numërimin e pasagjerëve, duke konstatuar se numri i tyre tejkalonte kapacitetin maksimal të përcaktuar në dokumentacionin e anijes.

Kapiteni u arrestua për shkelje të dispozitave të Kodit të së Drejtës Publike Detare dhe të legjislacionit që rregullon transportin e pasagjerëve mbi kapacitetin e lejuar, si dhe procedurat e kontrollit dhe regjistrimit.

Autoritetet portuale kanë nisur hetimet paraprake për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa ka filluar edhe procedura për vendosjen e masave administrative të parashikuara nga ligji.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit