Transmetuar më 17-07-2026, 15:59

Harta administrative e Shqipërisë pritet të pësojë ndryshime të reja, ndërsa mazhoranca po diskuton një reformë territoriale që synon uljen e numrit të bashkive në vend para zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Sipas propozimeve të para, objektivi është që Shqipëria të ketë jo më shumë se 50 bashki, ndërsa Partia Socialiste ka deklaruar se procesi mund të vijojë edhe pa një marrëveshje me opozitën, në rast se nuk arrihet konsensus politik.

Një analizë e përgatitur nga ekspertë të angazhuar nga mazhoranca ka identifikuar 14 bashki që konsiderohen më të ekspozuara ndaj një procesi bashkimi, bazuar në tregues ekonomikë, financiarë, demografikë dhe në kapacitetet për ofrimin e shërbimeve publike.

Ndryshimet e mundshme pritet të prekin kryesisht zona në qarqet Gjirokastër, Berat, Elbasan, Shkodër dhe Fier, ndërsa në diskutim është edhe situata e Bashkisë së Tiranës.

Raporti propozon një trajtim të veçantë për tri bashki me status minoritar, duke argumentuar se, pavarësisht problematikave ekonomike apo demografike, ruajtja e tyre lidhet me faktorë historikë, kulturorë, identitetin e pakicave kombëtare dhe kërkesat e shprehura gjatë konsultimeve publike.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se ndryshimi i kufijve administrativë nuk është zgjidhja për çdo problem. Në dokument përmenden si raste të veçanta bashkitë Tropojë, Fushë-Arrëz dhe Himarë, ku sfidat lidhen kryesisht me terrenin, distancat gjeografike dhe aksesin e qytetarëve në shërbime.

Partia Socialiste i ka vendosur opozitës afat deri më 23 korrik për t’u përfshirë në procesin e diskutimit të reformës. Në rast se nuk arrihet bashkëpunim politik, mazhoranca synon që ndryshimet të dërgohen për miratim në Kuvend në fillim të muajit tetor, duke kërkuar shumicën prej 84 votash të nevojshme për ndryshimet territoriale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit