

Fanela e veshur nga legjenda braziliane Pelé gjatë finales së Kupës së Botës 1958 është shitur në ankand për 4.9 milionë dollarë, ose rreth 4.3 milionë euro, duke u bërë një nga sendet sportive më të shtrenjta të shitura ndonjëherë.
Shtëpia prestigjioze e ankandeve Sotheby’s njoftoi se shitja u realizua të enjten në Nju Jork, pas një gare mes pesë ofertuesve dhe dhjetë ofertave, ndërsa identiteti i blerësit nuk është bërë publik.
Në finalen e zhvilluar në Suedi, Pelé, atëherë vetëm 17 vjeç, shënoi dy gola në fitoren 5-2 të Brazilit ndaj vendit organizator, duke ndihmuar "Seleçaon" të fitonte titullin e parë botëror në histori. Ai kishte realizuar gjithashtu dy gola edhe në gjysmëfinalen ndaj Francës, të fituar me të njëjtin rezultat.
Sipas Sotheby’s, pas finales fanela iu dhurua shokut të skuadrës dhe mikut të tij, Didi, një prej figurave kryesore të përfaqësueses braziliane. Ajo mbeti për dekada në familjen e tij, përpara se të ekspozohej në një muze dhe më pas të dilte për herë të parë në ankand në vitin 2004.
Me çmimin prej 4.9 milionë dollarësh, fanela e Pelés renditet si e dyta më e shtrenjtë në historinë e ankandeve për një fanellë sportive.
Rekordi vazhdon të mbahet nga fanela e veshur nga Diego Armando Maradona në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986 kundër Anglisë, e cila u shit për 9.3 milionë dollarë. Ajo ndeshje mbeti në histori për dy golat e Maradonës, përfshirë edhe golin e famshëm të njohur si "Dora e Zotit".
Pelé, i konsideruar një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, u nda nga jeta në dhjetor të vitit 2022.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






