

Dy personat që përfunduan në pranga pas konfliktit me thikë në lagjen “Luigj Gurakuqi” në Elbasan janë Mirjan Asllani, 43 vjeç, dhe Roland Beqiri, 59 vjeç, të dy banues në këtë qytet.
Sipas policisë, Asllani dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta në një lokal ka goditur me thikë 59-vjeçarin, duke e plagosur në trup. Pas ngjarjes, ai u largua nga vendi, por u identifikua dhe u arrestua nga shërbimet e Policisë së Elbasanit.
Ndërkohë, edhe i plagosuri Roland Beqiri u arrestua në flagrancë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Policia bëri të ditur se ai nuk ka pranuar të japë shpjegime për rrethanat e konfliktit dhe plagosjen.
Beqiri ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe thika që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






