Transmetuar më 17-07-2026, 15:27

Elbasan – Dhe telashet nuk kanë të sosur për një burrë në Elbasan: U plagos me thikë dhe përfundoi në spital, por më pas u përball me policinë dhe kur nuk dha detaje, ata e mbërthyen në pranga.

"I dëmtuari është arrestuar, pasi nuk pranoi të japë shpjegime për rrethanat e ngjarjes", tha zyrtarisht policia.

I plagosuri është Roland Beqiri, 59 vjeç, banor i Elbasanit, raporton noa.al.

Autor i dyshuar i plagosjes me thikë është Mirjan Asllani, 43 vjeç, edhe ai banues në Elbasan.

Ngjarja ndodhi sot në një lokal në Elbasan. Mes Mirjanit dhe Rolandit nisi një konflikt për motive të dobëta. Në një moment, Mirjani ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar me të, 59 vjeçarin duke e plagosur në trup.

Menjëherë më pas i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes kurse i plagosuri u dërgua në spitalin e qytetit.

Shërbimet e Policisë së Elbasanit, pas njoftimit se në spitalin rajonal, ishte paraqitur për ndihmë mjekësore, një 59-vjeçar i plagosur me mjet prerës, organizuan punën, dhe si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të autorit të dyshuar, shtetasit Mirjan Asllani, 43 vjeç, banues në Elbasan.

"Nga veprimet hetimore dyshohet se në një lokal në lagjen "Luigj Gurakuqi", gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi M. A. ka dëmtuar me mjet prerës, shtetasin R. B., 59 vjeç" tha zyrtarisht policia.

Më tej, u kryen veprimet për arrestimin në flagrancë edhe të shtetasit R. B., për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", pasi nuk ka pranuar të japë shpjegime për ngjarjen.

I dëmtuari është në kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (thikë) i dyshuar i përdorur për ngjarjen.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit