

Një 19-vjeçar shqiptar është arratisur nga një qendër ndalimi për emigrantët në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa autoritetet britanike kanë nisur një operacion për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Sipas mediave britanike, arratisja ka ndodhur më 14 korrik, gjatë transferimit të të riut nën eskortë nga Qendra e Ndalimit të Emigracionit Campsfield, në Oxfordshire, drejt një spitali.
Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar konfirmoi ngjarjen, duke bërë të ditur se hetimet janë në vijim.
“Mund të konfirmojmë se një person i ndaluar u arratis ndërsa ishte nën eskortë nga Qendra e Ndalimit të Emigracionit Campsfield më 14 korrik 2026. Ne kemi masa të forta për të gjurmuar dhe ndaluar personat që arratisen. Nuk do të ishte e përshtatshme të komentojmë më tej, pasi hetimet janë ende në zhvillim”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.
Ngjarja vjen më pak se një vit pas rihapjes së qendrës Campsfield, e cila rifilloi funksionimin në vitin 2025 pas një rinovimi të plotë. Objekti ishte mbyllur në vitin 2019 pas polemikave të shumta dhe incidenteve, përfshirë greva urie, raste vetëlëndimi dhe një vetëvrasje.
Rihapja e qendrës është pjesë e strategjisë së qeverisë britanike për zgjerimin e kapaciteteve të ndalimit të emigrantëve dhe rritjen e numrit të deportimeve të personave që nuk kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në vend.
Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, që nga ardhja në pushtet e qeverisë aktuale janë larguar nga Mbretëria e Bashkuar rreth 70 mijë persona, ndërsa numri i kthimeve dhe deportimeve ka arritur nivelin më të lartë të regjistruar në afro një dekadë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






