Transmetuar më 17-07-2026, 13:36

Policia e Korçës ka arrestuar dy persona në kuadër të hetimeve për atentatin e dështuar ndaj Brian Syzos, të ndodhur më 30 qershor në Pogradec, ku 35-vjeçari mbeti i plagosur rëndë.

Në pranga ka rënë 22-vjeçari Edison Agolli, vëllai i autorit të dyshuar të atentatit, i cili ishte shpallur në kërkim që prej ditës së ngjarjes. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me vëllain e tij dhe dy persona të tjerë në organizimin e sulmit ndaj Syzos.

Ndaj Agollit rëndon akuza për "vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, e kryer për interes ose hakmarrje dhe në bashkëpunim".

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se gjatë hetimeve është zbuluar edhe një kamerë sigurie e vendosur pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Drenovë. Dyshohet se pajisja ishte instaluar nga Agolli për të monitoruar lëvizjet e Brian Syzos dhe për të mbledhur informacion mbi aktivitetin e tij.

Ndërkohë, në pranga është vënë edhe vetë Brian Syzo, por për një çështje të ndryshme. Arrestimi i tij është kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka lënë në fuqi dënimin e dhënë nga Gjykata e Pogradecit në vitin 2023.

Syzo është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", dënim që do ta vuajë në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale.

Hetimet për atentatin ndaj 35-vjeçarit vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit