Transmetuar më 17-07-2026, 12:09

Seanca gjyqësore për dosjen “Sterilizimi”, ku i pandehur është ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, është shtyrë për datën 11 shtator. Burime nga procesi bëjnë me dije se edhe trupi gjykues nuk ka qenë ende gati për t’u shprehur mbi kërkesat e paraqitura nga palët.

Gjatë seancës së radhës, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi rrëzimin e 23 kërkesave të depozituara nga Beqaj, të cilat lidhen me kundërshtime ndaj akuzave dhe veprimeve procedurale të kryera gjatë hetimit.

Prokurori i posaçëm Edvin Kondili argumentoi para gjykatës se kërkesat e ish-ministrit nuk kanë bazë ligjore dhe se shumica e pretendimeve të ngritura prej tij kanë marrë përgjigje gjatë fazës hetimore, në seancën paraprake dhe në vendimin për kalimin e çështjes në gjykim.

Lidhur me kërkesën për shpalljen e pavlefshmërisë së aktit të njoftimit të akuzës, SPAK u shpreh se procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe se veprimet e organit të akuzës janë verifikuar edhe nga gjyqtari paraprak.

Sa i përket pretendimit të Beqajt se akuza për vjedhje nuk është e provuar, prokuroria deklaroi se ish-ministri nuk ka paraqitur kërkesa konkrete, por ka ngritur çështje që, sipas SPAK, do të marrin përgjigje gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe konkluzioneve përfundimtare të palëve.

Ndërkohë, Beqaj ka pretenduar se gjatë hetimit i janë cenuar të drejtat procedurale dhe ka kërkuar që gjykata të shqyrtojë shkeljet e pretenduara nga ana e prokurorisë.

Seanca e radhës është caktuar më 11 shtator, kur gjykata pritet të shprehet mbi 23 kërkesat e paraqitura nga ish-ministri i Shëndetësisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit