Transmetuar më 17-07-2026, 12:04

Administrata amerikane ka miratuar rregulla të reja që kufizojnë kohëzgjatjen e qëndrimit për disa kategori vizash joemigruese, përfshirë studentët ndërkombëtarë, pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit dhe përfaqësuesit e mediave të huaja.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka përcaktuar periudha fikse qëndrimi për vizat F për studentët, J për programet e shkëmbimit kulturor dhe I për gazetarët e huaj. Deri tani, këto viza ishin të lidhura kryesisht me kohëzgjatjen e programit të studimit ose punësimit.

Sipas rregullave të reja, studentët dhe pjesëmarrësit në programet e shkëmbimit nuk do të mund të qëndrojnë më shumë se katër vjet me vizën përkatëse. Ndërsa vizat për gazetarët do të kufizohen në 240 ditë, ose 90 ditë për shtetasit kinezë.

Rregullorja pritet të hyjë në fuqi 60 ditë pas publikimit në Regjistrin Federal, nëse nuk pengohet nga proceset përkatëse të shqyrtimit.

Administrata e presidentit Donald Trump ka argumentuar se ndryshimet synojnë të rrisin kontrollin dhe mbikëqyrjen ndaj personave që hyjnë në SHBA për qëllime studimi, shkëmbimi apo aktiviteti mediatik.

Sipas DHS, numri i këtyre vizave është rritur ndjeshëm. Vetëm në vitin 2024 janë regjistruar më shumë se 1.8 milionë hyrje me viza studentore, ndërsa SHBA lëshoi mbi 500 mijë viza për pjesëmarrës në programe shkëmbimi dhe rreth 37 mijë viza për përfaqësues të mediave.

Kufizime të reja për studentët

Rregullat e reja vendosin edhe kufizime shtesë për studentët pasuniversitarë. Ata nuk do të mund të ndryshojnë qëllimin e studimeve ose të transferohen në një universitet tjetër pa autorizim.

Gjithashtu, periudha që studentët kanë në dispozicion për t’u larguar nga SHBA pas përfundimit të studimeve ose trajnimit do të reduktohet nga 60 në 30 ditë.

Disa ekspertë të emigracionit kanë kritikuar masat e reja, duke argumentuar se ato mund të krijojnë pasiguri për studentët ndërkombëtarë dhe të vështirësojnë kalimin e tyre drejt punësimit pas studimeve.

Ndryshimet pritet të prekin edhe studentët nga Kosova që ndjekin studimet në Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave të raportit “Open Doors”, vitin e fundit në universitetet amerikane janë regjistruar rreth 190 studentë nga Kosova.

DHS ka deklaruar se personat që duan të qëndrojnë përtej afatit të përcaktuar do të duhet të aplikojnë për zgjatje qëndrimi ose të largohen nga SHBA dhe të kërkojnë një leje të re hyrjeje.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit