

Seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është shoqëruar me debate të forta mes mbrojtjes dhe prokurorisë së posaçme në lidhje me dosjen ku ai akuzohet.
SPAK ka kërkuar rrëzimin e 23 kërkesave të paraqitura nga Beqaj, duke argumentuar se ato janë të pabazuara në ligj dhe se pretendimet e tij kanë marrë përgjigje gjatë fazës së hetimit dhe në seancën paraprake.
Prokurori i Posaçëm, Edvin Kondili, deklaroi para gjykatës se kërkesa e ish-ministrit për shpalljen e pavlefshëm të njoftimit të akuzës nuk qëndron, pasi veprimet procedurale janë miratuar nga gjyqtari paraprak. Sipas SPAK, pretendimet lidhur me akuzën për vjedhje do të trajtohen gjatë procesit gjyqësor dhe jo në këtë fazë.
Prokuroria pranoi gjithashtu se mosgjetja e kontratës origjinale të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë përbën një problem procedural, por theksoi se në dosje ndodhet kopja e njësuar e saj në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, e cila konsiderohet provë e vlefshme.
Nga ana tjetër, Ilir Beqaj ka akuzuar SPAK-un se po cenon të drejtat e tij procedurale dhe po e vështirëson përgatitjen e mbrojtjes.
“Organi i akuzës pranoi që në fazën e hetimeve mi ka cenuar hapur të drejtat e mia. Sot unë e kam të vështirë të bëj mbrojtjen”, deklaroi Beqaj gjatë seancës.
Ish-ministri kritikoi mënyrën e funksionimit të strukturave të drejtësisë pas Reformës në Drejtësi, duke pretenduar se pavarësia e prokurorëve po përdoret përtej kufijve ligjorë.
“Me sa kuptoj, prokurorët kanë fituar pavarësinë ndaj drejtuesit të prokurorisë, por këtë pavarësi e përdorin sot për të shkelur të drejtat procedurale dhe bëjnë çfarë të duan”, tha Beqaj.
Ai ngriti gjithashtu pretendime mbi vlefshmërinë e provave të siguruara nga kontrolli elektronik i pajisjeve kompjuterike dhe kërkoi verifikimin e certifikimit të laboratorit forenzik të SPAK.
Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues vendosi të mos japë një vendim të menjëhershëm për kërkesat e ish-ministrit. Seanca e radhës është caktuar më 11 shtator, kur gjykata pritet të shprehet mbi 23 kërkesat e paraqitura nga Beqaj.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






