Transmetuar më 17-07-2026, 10:57

Projektligji për Bankën e Shqipërisë i jep imunitet Guvernatorit dhe zëvendësguvernatorëve

Ligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” pritet t’i japë Guvernatorit dhe zëvendësguvernatorëve të Bankës së Shqipërisë mbrojtje të posaçme nga arrestimi.

Drafti vjen ndërsa pak ditë më parë, kreu i SPAK Klodian Braho paralajmëroi se askush nuk mund të ketë imunitet: "Kush ka prova t’i dorëzojë në SPAK. Asnjë person nuk është imun, dhe ketë e them me bindje", tha ai në Parlament.

Sipas nenit 72 të projektligjit, të hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe të publikuar zyrtarisht për konsultim nga Ministria e Financave, Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen, të privohen nga liria në asnjë formë, apo t’i nënshtrohen kontrollit personal dhe kontrollit të banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm rastet kur ata kapen në flagrancë, ose kur ndodhen në ndjekje menjëherë pas kryerjes së një krimi.

Në rast se kërkohet arrestimi ose kontrolli i banesës së këtyre zyrtarëve, prokurori i çështjes duhet t’i drejtohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese për të marrë autorizimin përkatës.

Projektligji përcakton se Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë brenda dy javëve nga momenti kur çështja i paraqitet për shqyrtim. Nëse Gjykata nuk merr vendim brenda këtij afati, kërkesa për autorizim konsiderohet e refuzuar.

Shqipëria ka një precedent me arrestimin e një Guvernatori në detyrë.

Në shtator të vitit 2014, Guvernatori i atëhershëm i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas skandalit të përvetësimit të 713 milionë lekëve në Departamentin e Emisionit të Monedhës në Bankën e Shqipërisë.

Në përfundim të procesit gjyqësor, Fullani u shpall i pafajshëm për akuzat e ngritura nga Prokuroria. Pas pafajësisë, ai fitoi në gjykatë edhe dëmshpërblim financiar për shkarkimin nga detyra.

Një tjetër rast i mëparshëm lidhet me vitin 1993, kur ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ilir Hoti, u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Megjithatë, arrestimi i tij ndodhi disa muaj pas largimit nga posti.

Aktualisht, legjislacioni shqiptar njeh imunitet për Presidentin e Republikës, Kryeministrin, ministrat, deputetët dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Për shumicën e këtyre funksionarëve, autorizimi për heqjen e imunitetit jepet nga Kuvendi. Përjashtim bën Presidenti i Republikës, për të cilin vendimi i Parlamentit duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese, si edhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, për të cilin autorizimi jepet nga vetë ky institucion.

Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” parashikon që kompetenca për autorizimin e arrestimit të Guvernatorit dhe zëvendësguvernatorëve t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese, duke e shmangur Kuvendin nga ky proces.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit