

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka deklaruar se qeveria nuk do të bjerë sepse Edi Rama nuk do ta japë dorëheqjen, duke përjashtuar çdo mundësi për një tërheqje të kabinetit qeveritar.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Klosi u pyet nga moderatori Ylli Rakipi nëse ekziston mundësia që qeveria të largohet përmes dorëheqjes.
“Asnjë shans. Zero shans. Ka nevojë për reflektim në raste të tilla. PS ka ndryshuar, është dimensioni më i fortë i ndryshimit”, u shpreh Klosi.
I pyetur nëse dorëheqja e qeverisë është një opsion, sekretari i Përgjithshëm i PS-së u përgjigj se nuk ka asnjë arsye që Partia Socialiste të largohet nga pushteti.
“Nuk ka asnjë arsye të ketë dorëheqje të Partisë Socialiste”, deklaroi Blendi Klosi.
Klosi tha se nëse qëllimi i protestuesve është rrëzimi i qeverisë Rama, atëherë ata duhet të përgatiten për përballjen elektorale.
"Dimension i lirisë. Protesta është thjeshtuar, nuk ka sforco, përplasje me strukturat shtetërore, nuk ka represion mbi njerëzit.
Do të jetë interesante të shfaqen me idetë e tyre, programet e tyre, mënyrën si mendojnë të arrijnë qëllimin që i kanë vënë vetes.
Filloi me flamengon dhe Zvërnecin, sot është protestë e pastër politike, kërkojnë largimin e kryeministrit Rama dhe disa kërkesa të tjera.
Se si do ta rrëzojnë mazhorancën, nuk kemi ide, por kërkesë të grupimit të protestuesve që thonë të largohet Rama. Këtë mund të themi, nuk kemi ndonjë moment tjetër.
Ka një diskutim të brendshëm, në rrjetet sociale, për të ngritur komitet drejtues, grup përfaqësues. Ajo do të ishte arritje e protestës, pasi do të kishim përballë një ekip që do të garonte me idetë, qëndresat e tyre.
Mbase me ide për ligje të caktuara. Në garën e ardhshme elektorale, mbase grupimi do të ketë paraqitur kandidatët e tyre. Aty do të ketë fushatë elektorale.
Dihet që ata duan rrëzimin e qeverisë, është krejt normale në një shtet demokratik.
Në zgjedhjet e fundit, nuk kemi marrë 100 vota nga 100, por 53. 47 të tjerët nuk kanë votuar për qeverinë socialiste. 47% në 2 milionë nuk e kanë votuar. A e gjejnë vetën të përfaqësuar në grupime të tjera? Kjo mbetet për tu parë në gara elektorale.
Kur kërkesa u bë politike dhe është largimi i Ramës, jemi me një grupim politik me qëllim të vetin.
Është krejt normale në demokraci. Padyshim influencat e grupimeve të ndryshime ishin evidente në momentin e parë, kur gjërat u sqaruan, qartazi ka ngelur ky grupim që do largimin e qeverisë.
Këtu ndahemi. Ka një mënyrë që të largohet qeveria, zgjedhjet, të përgatiten. Është shumë pak kohë që një forcë politike të përgatitet.
Kemi garën lokale pas një viti dhe pas tre vitesh garën e përgjithshme. Është pak kohë që një forcë politike të përgatitet dhe të vijë me një garë përballë nesh."
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






