

Një mjet lundrues me 11 emigrantë të paligjshëm në bord është shpëtuar nga Policia Kufitare, pasi rrezikoi të mbytej në brigjet e Vlorës.
Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur autoritetet morën njoftim se një skaf me persona në bord ndodhej në vështirësi rreth tetë milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare u nisën drejt zonës me dy mjete lundruese tip gomone dhe arritën të lokalizonin mjetin, duke shpëtuar të gjithë personat që ndodheshin në bord.
Sipas të dhënave paraprake, emigrantët janë shtetas të pesë vendeve të ndryshme të Afrikës dhe Azisë. Ata janë transportuar në tokë dhe aktualisht ndodhen në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku po kryhen procedurat përkatëse.
Nga verifikimet paraprake rezulton se në bord ndodheshin shtetas nga Haiti, Afganistani, Liberia, Pakistani dhe Bangladeshi.
Ende nuk është përcaktuar destinacioni i tyre dhe nëse qëllimi ishte kalimi drejt Italisë përmes detit. Rrethanat e plota pritet të sqarohen pas marrjes në pyetje të emigrantëve dhe përfundimit të veprimeve hetimore nga autoritetet kompetente.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






