

Kursi i euros ndaj lekut ka shënuar një tjetër rënie rekord, duke zbritur në nivelin më të ulët historik të regjistruar ndonjëherë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 93.64 lekë, duke vijuar tendencën rënëse të muajve të fundit. Që nga fillimi i vitit, monedha europiane ka humbur rreth 3.2% të vlerës ndaj lekut, ndërsa në raport vjetor rënia ka arritur në 4.2%.
Agjentët e tregut valutor e lidhin këtë zhvillim kryesisht me faktorët sezonalë të verës, kur rritja e numrit të turistëve sjell më shumë hyrje valutore në vend dhe shton ofertën e euros në treg.
Përveç ndikimit sezonal, forcimi i lekut lidhet edhe me rritjen e flukseve valutore nga turizmi dhe investimet e huaja direkte, të cilat kanë përmirësuar bilancin e pagesave të vendit.
Një faktor tjetër që ka ndikuar në forcimin e monedhës vendase është politika fiskale, pasi suficitet buxhetore gjatë pjesës më të madhe të vitit kanë kufizuar sasinë e lekut në qarkullim.
Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg për të frenuar rënien e euros përmes blerjeve të valutës. Gjatë viteve 2024-2025, Banka Qendrore ka blerë mbi 2 miliardë euro, ndërsa këtë vit planifikon të rrisë më tej rezervat valutore përmes ankandeve me vlerë 330-450 milionë euro.
Megjithatë, forcimi i vazhdueshëm i lekut ka sjellë edhe pasoja për disa sektorë të ekonomisë. Eksportuesit, veçanërisht industria fason, kanë hasur vështirësi për shkak të uljes së konkurrueshmërisë në tregjet e huaja, ndërsa edhe sektori i turizmit përballet me ndikimin e një monedhe vendase më të fortë.
Nga ana tjetër, euro e dobët ka ndihmuar në uljen e kostove të importeve dhe në zbutjen e presioneve inflacioniste për konsumatorët shqiptarë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






