

Qeveria e re hungareze, e drejtuar nga kryeministri Peter Magyar, ka ndërmarrë një reformë të gjerë kushtetuese, duke shfrytëzuar shumicën prej dy të tretash në Parlament për të ndryshuar strukturat e ngritura gjatë 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán.
Ndryshimet kushtetuese, të miratuara vetëm dy muaj pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re, synojnë largimin e një sërë zyrtarëve të emëruar gjatë qeverisjes së Orbán, mes tyre presidenti Tamás Sulyok dhe disa gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas qeverisë së Peter Magyar, reforma synon rikthimin e pavarësisë së institucioneve, forcimin e shtetit të së drejtës dhe kufizimin e mekanizmave që, sipas saj, ishin përdorur për të konsoliduar pushtetin e qeverisë së mëparshme.
Ndryshimet parashikojnë rikthimin e kompetencave të plota të Gjykatës Kushtetuese, kufizimin e numrit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar për t’u miratuar, krijimin e një agjencie për rikuperimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, si dhe vendosjen e një kufiri prej tre mandatesh për deputetët.
Kryeministri Peter Magyar e ka cilësuar reformën si pjesë të "Operacionit Purgator", duke argumentuar se Kushtetuta e ndryshuar gjatë qeverisjes së Orbán ishte shndërruar në një instrument për ruajtjen e kontrollit politik mbi institucionet.
Nga ana tjetër, partia Fidesz e Viktor Orbán dhe aleatët e saj bojkotuan seancën parlamentare ku u votuan ndryshimet, duke i cilësuar ato si një goditje ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Megjithatë, një pjesë e organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve të së drejtës kanë shprehur rezerva për disa prej ndryshimeve, duke paralajmëruar se edhe procesi i reformimit duhet të respektojë standardet e shtetit ligjor.
Ndërkohë, qeveria hungareze ka bërë të ditur se ndryshimet e miratuara përbëjnë vetëm fazën e parë të reformës, ndërsa nga vjeshta pritet të nisë hartimi i një Kushtetute të re për Hungarinë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






