

Qeveria ka identifikuar 337 profesione të rregulluara që do t’i nënshtrohen një procesi rishikimi në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
Profesionet përfshijnë një gamë të gjerë sektorësh, nga mjekët, farmacistët dhe arkitektët, deri te audituesit, ekspertët kontabël, agjentët doganorë dhe profesionistë të tjerë që ushtrojnë veprimtari të rregulluara me ligj.
Sipas Planit Kombëtar të miratuar nga qeveria, procesi do të përfshijë 337 profesione të mbikëqyrura nga 33 institucione, mes tyre ministri, urdhra profesionalë, dhoma profesionale dhe autoritete rregullatore.
Dokumenti përcakton për secilin institucion profesionet e konfirmuara si të rregulluara, ato që kërkojnë verifikim të mëtejshëm, si dhe kriteret për hyrjen dhe ushtrimin e secilit profesion.
Reforma synon të rrisë transparencën, të thjeshtojë procedurat e licencimit dhe të vlerësojë nëse kushtet aktuale për ushtrimin e profesioneve janë të nevojshme dhe në përputhje me standardet evropiane.
Sipas analizës së dokumentit, procedurat e gjata të licencimit, kërkesat ligjore dhe barrierat administrative kanë ndikuar në mungesën e profesionistëve në disa sektorë strategjikë, kanë vonuar hyrjen e të rinjve në tregun e punës dhe kanë kufizuar konkurrencën.
Përmes kësaj reforme, autoritetet synojnë të harmonizojnë legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, duke krijuar një sistem më transparent, më efikas dhe më konkurrues për profesionet e rregulluara.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






