Transmetuar më 17-07-2026, 09:12

Tetë kompani të tregtimit të karburanteve kanë paditur qeverinë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar rreth 11.8 milionë euro dëmshpërblim për humbjet që pretendojnë se u janë shkaktuar nga mënyra e llogaritjes së çmimit të naftës gjatë funksionimit të Bordit të Transparencës.

Sipas burimeve nga tregu i hidrokarbureve, paditë janë depozituar veçmas nga secili operator dhe lidhen me metodologjinë e përdorur nga Bordi i Transparencës për përcaktimin e çmimeve të karburanteve.

Operatorët kundërshtojnë faktin se çmimi maksimal i shitjes është llogaritur mbi bazën e treguesit FOB (Free on Board), i cili nuk përfshin kostot e transportit dhe sigurimit. Sipas tyre, tregu ndërkombëtar operon tashmë me kontrata CIF (Cost, Insurance and Freight), të cilat përfshijnë këto kosto dhe rrisin çmimin e blerjes me rreth 45–50 dollarë për ton.

Një tjetër pretendim lidhet me mënyrën e llogaritjes së TVSH-së. Sipas kompanive, ndërsa Bordi përdorte çmimin FOB për të përcaktuar çmimin e shitjes, administrata doganore e llogariste TVSH-në mbi bazën e çmimit CIF, duke krijuar një kosto shtesë prej rreth 4.7 lekësh për litër.

Kompanitë argumentojnë gjithashtu se metodologjia e miratuar në vitin 2022 nuk pasqyron më kostot reale të operimit, pasi nuk merr parasysh rritjen e inflacionit, pagave, sigurimeve shoqërore, qirave dhe shpenzimeve të tjera gjatë periudhës 2022–2026.

Sipas operatorëve, edhe marzhet e fitimit të parashikuara nga Bordi janë nën kostot reale. Ata pretendojnë se metodologjia aktuale nuk reflekton rreth 8.7 lekë për litër në çmimin final të karburantit, çka, sipas tyre, ka sjellë humbje të konsiderueshme financiare dhe ka vënë në vështirësi veçanërisht operatorët më të vegjël.

Bordi i Transparencës për Hidrokarburet u riaktivizua nga qeveria më 26 mars 2026, pas rritjes së çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, dhe e përfundoi aktivitetin më 19 qershor.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit