

Familja e Martin Canit ka reaguar me një deklaratë publike, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor emrin e djalit të tyre për qëllime politike, ndërsa institucionet, sipas saj, kanë dështuar të garantojnë sigurinë e fëmijëve dhe të zbardhin plotësisht përgjegjësitë për ngjarjen.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat, familja shprehet se mbyllja e platformës TikTok, e ndërmarrë pas vrasjes së Martin Canit, nuk ka parandaluar ngjarje të tjera të rënda me të mitur, duke përmendur raste të ndodhura në Maliq dhe Durrës.
Sipas familjes, vendosja e kamerave në shkolla nuk mjafton për të garantuar sigurinë e nxënësve, duke kërkuar masa konkrete, rritjen e mbështetjes psikologjike dhe përgjegjësi institucionale.
Në deklaratë ngrihen gjithashtu shqetësime për mungesën e mbështetjes nga institucionet shtetërore, si dhe për kushtet në sistemin shëndetësor. Familja pretendon se në Spitalin e Traumës mungonin pajisje dhe personel i specializuar që, sipas saj, mund të kishin ndikuar në trajtimin e të riut.
Po ashtu, familja kritikon mënyrën se si janë zhvilluar hetimet, duke kërkuar përfundimin sa më shpejt të procedurave për të përcaktuar përgjegjësitë e institucioneve arsimore dhe shëndetësore.
Në reagim përmendet edhe vendimi i Gjykatës së Apelit, e cila la në fuqi dënimin me 16 vite burg për Mario Përlleshajn, i shpallur fajtor për vrasjen e Martin Canit në vitin 2024.
Në përfundim të deklaratës, familja thekson se do të vijojë të kërkojë drejtësi për Martinin, siguri për fëmijët dhe përgjegjësi nga institucionet, duke theksuar se nuk do të ndalet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






