Transmetuar më 17-07-2026, 07:53

Inteligjenca artificiale po zë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në sistemet shëndetësore europiane, duke u përdorur për diagnostikimin e sëmundjeve, menaxhimin e pacientëve dhe organizimin e shërbimeve. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron se mungesa e rregullave dhe mekanizmave të mbikëqyrjes mund të krijojë rreziqe serioze për pacientët.

Paralajmërimi është bërë nga drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, i cili theksoi se hendeku mes përdorimit të inteligjencës artificiale dhe kontrollit të saj përbën sfidën kryesore për sistemet shëndetësore.

Sipas të dhënave të OBSH-së, dy të tretat e 53 vendeve të Rajonit Europian përdorin tashmë inteligjencën artificiale në proceset e diagnostikimit, ndërsa rreth gjysma kanë vënë në funksion chatbot-e me AI për komunikimin me pacientët.

Megjithatë, vetëm një në 12 vende ka një strategji për qeverisjen e kësaj teknologjie. Vetëm 8% e vendeve disponojnë një strategji të posaçme për inteligjencën artificiale në shëndetësi, ndërsa pothuajse 40% nuk kanë udhëzime etike për përdorimin e saj.

Hans Kluge paralajmëroi se algoritmet me gabime mund të çojnë në diagnoza të pasakta, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e pacientëve.

OBSH evidenton gjithashtu mungesa në përgatitjen e profesionistëve të shëndetësisë për përdorimin e inteligjencës artificiale. Sipas organizatës, vetëm një në pesë vende përfshin këtë teknologji në programet universitare për studentët e mjekësisë, ndërsa vetëm një në katër ofron trajnime për personelin shëndetësor.

Për të adresuar këto sfida, OBSH pritet të prezantojë në vitin 2028 një udhërrëfyes për përdorimin e inteligjencës artificiale në shëndetësi, me synimin për të garantuar standarde më të larta sigurie dhe mbrojtjeje për pacientët.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit