

Reforma Territoriale 2.0 trazon politikën: PS propozon 4 skenarë, opozita kundërshton raportin pa konsensus
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale përmbylli të mërkurën afatin 9-mujor të punës së tij pa arritur në një produkt konsensual. Në mbledhjen e fundit, përfaqësuesit e opozitës u shprehën të befasuar nga një dokument prej më shumë se 300 faqesh, i hartuar nga mazhoranca si raport përfundimtar i komisionit.
Dokumenti mban titullin “Raporti Përfundimtar – Reforma Administrativo-Territoriale 2.0” dhe në të socialistët paraqesin në mënyrë të njëanshme katër variante të mundshme për reformën e re territoriale, së bashku me një analizë të zgjeruar për sektorët e ndryshëm të qeverisjes vendore.
Në kapitullin 26 të raportit, Partia Socialiste propozon katër “skenarë strategjikë” si opsione analitike për riorganizimin territorial të vendit. Sipas dokumentit, këta skenarë mbështeten mbi një vlerësim të kapaciteteve funksionale dhe administrative të 61 bashkive ekzistuese, të ndara në tri kategori sipas aftësisë së tyre për të ushtruar kompetencat që u njeh ligji.
Qëllimi i analizës është të përcaktojë nëse hendeku mes përgjegjësive ligjore dhe kapaciteteve reale të bashkive duhet të zgjidhet përmes ndryshimit të hartës territoriale, përmes rishpërndarjes së funksioneve, ose përmes një kombinimi të të dyja qasjeve. Raporti nuk zgjedh paraprakisht një variant të vetëm, por paraqet disa rrugë të mundshme ndërhyrjeje.
Sipas dokumentit, 61 bashkitë ndahen në tre nivele kapaciteti: 20 bashki vlerësohen me kapacitet të plotë, 21 bashki me kapacitet të moderuar dhe 20 bashki me kapacitet të kufizuar. Ky klasifikim është bërë mbi bazën e aftësisë së secilës njësi vendore për të përmbushur funksionet ligjore.
Analiza arrin në përfundimin se një pjesë e konsiderueshme e bashkive nuk i ushtrojnë plotësisht kompetencat e tyre. Për këtë arsye, si zgjidhje të mundshme parashtrohen riorganizimi i hartës territoriale, rishpërndarja e funksioneve ose kombinimi i këtyre dy masave.
Në këtë kuadër, raporti propozon katër skenarë riorganizimi, të cilët përshkruhen si “opsione analitike që ilustrojnë mënyra të ndryshme të harmonizimit të përgjegjësive me kapacitetet”.
Varianti i parë është ai i “decentralizimit asimetrik”. Në këtë skenar, harta aktuale territoriale do të mbetej e pandryshuar, ndërsa përgjegjësitë funksionale do të ndaheshin sipas kapaciteteve të bashkive. Kjo do të nënkuptonte shtim kompetencash dhe funksionesh për disa bashki të mëdha, ndërsa bashkive që nuk përmbushin kapacitetet e nevojshme do t’u hiqeshin disa prej tyre.
Sipas këtij varianti, të gjitha bashkitë do të ruanin funksionet bazë, ndërsa funksionet më komplekse do t’u kalonin njësive me kapacitete më të larta, ose do të realizoheshin përmes bashkëpunimit ndërbashkiak.
Varianti i dytë parashikon “bashkime të mëdha”. Në këtë skenar propozohet një riorganizim i gjerë territorial përmes bashkimit të bashkive, me synimin që çdo njësi e re vendore të ketë kapacitetet e nevojshme për të ushtruar të gjitha funksionet e parashikuara në ligjin në fuqi.
Raporti vlerëson se një model i tillë do të siguronte standarde të njëjta funksionimi për njësitë vendore, por njëkohësisht mund të dobësonte parimin e subsidiaritetit dhe të krijonte vështirësi në disa rajone, për shkak të diversitetit kulturor.
Skenari i tretë lidhet me “bashkime të mesme dhe rialokim të funksioneve plotësuese”. Ky variant synon bashkimin e bashkive me kapacitete më të kufizuara, ndërsa funksionet më të specializuara do t’i transferoheshin qeverisë qendrore, strukturave të bashkëpunimit ndërbashkiak ose një niveli të dytë të qeverisjes vendore.
Partia Socialiste e konsideron këtë si një opsion të favorshëm. “Avantazhi është raporti më i mirë kosto-përfitim i ndërhyrjes; sfidat janë rreziku i ricentralizimit të disa funksioneve dhe, sërish, nevoja e mundshme për një nivel shtesë qeverisjeje”, thuhet në raport.
Skenari i katërt është ai i “bashkive të përqendruara në funksionet bazë”. Ky variant parashikon një ristrukturim më të thellë të përgjegjësive, ku bashkitë do të fokusoheshin kryesisht në funksionet bazë, ndërsa një pjesë e kompetencave të tjera do t’u kalonte strukturave të tjera të qeverisjes.
“Avantazhi është përputhja më e mirë me parimin e subsidiaritetit; sfidat janë vështirësia praktike e ndarjes së njësive dhe potenciali i kufizuar për decentralizim të mëtejshëm”, thekson dokumenti.
Raporti trajton gjithashtu mundësinë e krijimit të një niveli të ri rajonal mbi 12 qarqet ekzistuese. Ky nivel do të merrte përsipër funksione që tejkalojnë kufijtë e bashkive, si transporti ndërqarkor, menaxhimi i mbetjeve, mbrojtja nga përmbytjet dhe administrimi i fondeve të Bashkimit Europian.
Sipas dokumentit, krijimi i këtij niveli të ri rajonal ka qenë një nga propozimet që ka marrë mbështetjen më të gjerë gjatë konsultimeve publike.
Edhe pse raporti nuk rekomandon një variant të vetëm, analiza nxjerr në pah dy drejtime që shfaqen si të përbashkëta në pothuajse të gjithë skenarët e shqyrtuar.
Së pari, reduktimi i numrit të bashkive duhet të lidhet me kritere të qarta, të cilat tregojnë se një njësi vendore nuk arrin të përmbushë standardet minimale të qëndrueshmërisë financiare, demografike dhe funksionale.
Së dyti, dokumenti sugjeron krijimin e një niveli të ri rajonal mbi qarqet ekzistuese, me kompetenca të përcaktuara qartë dhe me burime të dedikuara financimi, për të administruar funksione që tejkalojnë kufijtë e një bashkie apo qarku.
Raporti parashikon gjithashtu që bashkitë me karakteristika të veçanta etnike ose kulturore, si dhe ato që ndodhen në zona shumë të largëta dhe të izoluara, të trajtohen si raste të veçanta. Këto njësi mund të përjashtohen nga bashkimet e mundshme territoriale.
Megjithatë, dokumenti nuk rekomandon ende një model përfundimtar të hartës së re territoriale. Seksioni që pritet të përmbajë skenarin e rekomanduar mbetet i paplotësuar dhe parashikohet të plotësohet pasi Komisioni Parlamentar të përfundojë vlerësimin e katër varianteve të propozuara.
Komisioni mbyll punën pa konsensus
Mbledhja e fundit e komisionit nuk arriti të gjente konsensus as për miratimin e rendit të ditës. Opozita e cilësoi raportin e sjellë në komision nga Partia Socialiste si një kapërcim të fazave të punës.
Përfaqësuesit e opozitës kërkuan që fillimisht të votohej kërkesa për shtyrjen e afateve të punës së komisionit, por kjo kërkesë nuk u mbështet nga pala socialiste.
Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luçiano Boçi, deklaroi se nuk mund të prezantoheshin dhe miratoheshin raporte me konkluzione pa u mbyllur më parë faza e dëgjesave me bashkitë dhe pa u hartuar e miratuar raporti analitik për reformën territoriale në fuqi.
Boçi u shpreh gjithashtu se socialistët po paraqiten me një hartë që synon uljen e numrit të bashkive, ndërkohë që, sipas tij, në dëgjesat publike është kërkuar shtimi i tyre.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari socialist i komisionit, Arbër Mazniku, tha se koncepti i kalendarit lidhet me afatet kohore dhe jo me tematikat.
“Kam thënë që ka një axhendë të qartë nga opozita për të djegur punën e këtij komisioni duke djegur afatet”, tha Mazniku në replikë me Boçin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






