Transmetuar më 17-07-2026, 07:41

Çmimet e naftës kanë shënuar një tjetër rritje në tregjet ndërkombëtare, të nxitura nga tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si edhe shqetësimet për furnizimet përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit global të naftës.

Nafta Brent është ngjitur pranë nivelit të 85 dollarëve për fuçi, ndërsa WTI ka arritur rreth 80 dollarë për fuçi, nivelet më të larta të regjistruara në afro një muaj. Rritja është ndikuar edhe nga zhvillimet e fundit gjeopolitike në Lindjen e Mesme, si dhe nga kufizimet në eksportet ruse të karburanteve.

Efektet e kësaj rritjeje janë reflektuar edhe në Shqipëri, ku çmimi i naftës në pikat e shitjes me pakicë ka arritur në 196-198 lekë për litër, duke e mbajtur vendin me çmimin më të lartë të karburantit në rajon.

Sipas operatorëve të tregut, rritja lidhet me shtrenjtimin e treguesit ndërkombëtar Platts, i cili ka arritur në 1.203 dollarë për ton, nga rreth 952 dollarë në fund të muajit qershor. Kësaj kostoje i shtohen edhe shpenzimet e transportit dhe sigurimit.

Ekspertët e tregut theksojnë se një nga arsyet kryesore pse Shqipëria vijon të ketë çmime më të larta se vendet fqinje mbetet ngarkesa fiskale. Taksat përbëjnë rreth gjysmën e çmimit final të naftës, ku përfshihen akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja.

Ndërkohë, vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve. Serbia ka ulur akcizat dhe ka vendosur tavan për çmimin e karburanteve, ndërsa Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova vijojnë të ofrojnë naftë me çmime dukshëm më të ulëta se Shqipëria.

Sipas të dhënave të tregut, nafta tregtohet rreth 1.87 euro për litër në Serbi, 1.68 euro në Mal të Zi, 1.42 euro në Maqedoninë e Veriut dhe 1.56 euro në Kosovë, ndërsa në Shqipëri çmimi ka kaluar kufirin e 2 eurove për litër.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse tensionet gjeopolitike vijojnë dhe furnizimet globale mbeten nën presion, çmimet e karburanteve mund të mbeten të larta edhe gjatë javëve në vijim.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit