Transmetuar më 17-07-2026, 07:28

Elisa Spiropali e shpalosi “Mocionin” e saj, platformën për “Kontratën e Re me Shqipërinë”. Ia drejton kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe forumeve drejtuese të partisë.

Mocioni përbëhet nga 3 Pjesë:

I-Hyrja

II- Demokratizimi i partisë

III-Demokratizimi i Shqipërisë

Gjithë sa Spiropali shkruan janë vërtet të mrekullueshme, nëse realizohen.

Por, në “Hyrje” të Mocionit, (Pjesa I), ajo thotë se nevoja e “Kontratës së Re”, diktohet nga kushtet e reja në të cilat ndodhet vendi. “Shqipëria ka hyrë në një moment vendimtar historik, politik e shoqëror. Institucionet funksionojnë, ekonomia vazhdon të rritet dhe proceset demokratike zhvillohen rregullisht” – nis “Mocioni” i saj.

Pikërisht, vetëm kështu nuk duhet të nisë zonjë! Sepse, po të ishte kështu, nuk do të ishte nevoja për ato që kërkoni ju.

Sepse, institucionet, më së shumti, nuk funksionojnë sipas Ligjit dhe Kushtetutës, por sipas interesave të atyre që zotërojnë pushtetin.

-Parlamenti është në ditët më të zeza që nga koha e Ismail Qemalit. Debati parlamentar është nën nivelin e debatit të kafenesë së lagjes. Niveli i përfaqësimit është i mjerueshëm. Parlamenti, për herë të parë ka përfunduar në një rrobaqepësi që qep ligje sipas porosisë së oligarkëve. Njësoj si ai tenderi që ka kriter, që inxhinieri të jetë 65 vjeç dhe shoferi i fadromës të ketë mustaqe. Në 4 mandate nuk ka refuzuar një projektligj të qeverisë. Misioni llogaridhënës është zhdukur dhe është thjeshtë shtojcë e pushtetit.

-Presidenti, si institucion, thuajse nuk ekziston.

-Demokracia nuk po zhvillohet, por ka rrëshkitur dhe zgjedhjet janë të pabesueshme.

-Ekonomia mund të rritet në shifra, por rritja bazohet tek ndërtimi dhe ndërtimi mbështet tek paratë me origjinë të dyshimtë, për të mos thënë që burojnë nga “korporatat e krimit të organizuar”. Kjo bën që rritja të mos pasurojë të gjithë popullin, por më pak se 10 % të saj. Bujqësia është në rënie të vazhdueshme.

Nisma juaj zonjë do të ishte shumë më serioze, nëse do të niste me një pasqyrë më të qartë të realitetit, shoqëruar me nevojën që partia juaj të marrë përgjegjësitë që i takojnë për këtë gjendje.

Megjithatë, ato që ju thoni janë të domosdoshme. Dhe po them dy fjalë për (Pjesa II) “Demokratizimi i Partisë Socialiste!”

Të 11 pikat e “Mocionit” për këtë çështje janë shumë ambicionze. Por, shtrohen ca pyetje:

A mund të vetëdemokratizohet një parti, në këtë rast PS-ja, sot?

A mundet të vetëdemokratizohet një makineri politike, që ka qenë më demokratike dhe është bërë më autoritare?

A mund të vetëdemokratizohet një parti, ku drejtuesi partiak i një Qarku është më i pushtetshëm se çdo pushtetar lokal dhe institucion i zgjedhur me votë?

A mundet që një ushtri njerëzish që janë mësuar ta marrin vendet e punës për shkak të kontributit politik që japin në zgjedhje, ti nënshtrohen befas meritokracisë?

A mund të vetëdemokratizohet një parti, që ministritë, drejtoritë, bashkitë, institucionet nën varësi qeveritare, përfshi edhe policinë, i shikon si struktura të partisë?

Demokratizim partiak pa transparencë financiare nuk ka. Por, a mund të vetëdemokratizohet një parti(apo të gjitha partitë), që fushatat zgjedhore i mbështet mbi burime financiare të padeklaruara dhe që shumë kandidatë i zgjedh mbi bazën e aftësive financiare që ata kanë për të paguar fushatat e veta dhe për të “siguruar vota”?

PS, nuk mund të demokratizohet jashtë realitetit politik, veçanërisht jashtë realitetit politik që ka prodhuar protesta dhe reagimi masiv qytetar.

Ndaj kjo nuk mund të bëhet përmes një “debati të gjërë dhe të sinqertë” të anëtarësisë. Për këtë do të mjaftonte, si hap i parë, miratimi i ligjit të ri për funksionimin e partive politike, e keni aty. Ai garanton detyrimin e mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta për strukturat drejtuese, trasparencën financiare, transparencën e anëtarësisë, madje edhe kufizimin e numrit të mandave të një kryetari partie.

Pjesa III

Angazhimet për Shqipërinë e Dekadës së Ardhshme

Në këtë Kapitull të Mocionit, përfshihen 12 pika që lidhen me demokracinë qeverisëse, luftën kundër korrupsionit, drejtësinë e pavarur, lirinë e medias, shëndetësinë, arsimin, kulturën e re politike……

Këtu nuk po ndalem, pasi këto ndryshime nuk mund të bëjë një parti që e ka në dorë dhe nuk e ka bërë. Këto mund ti realizojë një parti e reformuar, demokratike, transparencte, që funksionin sipas ligjit, rregullave, meritokracisë dhe parimeve morale e demokratike.

Por po ndalem vetëm në një pikë:

Ndarja e partisë nga shteti, që e theksioni në të dy pjesët e propozuara:

Ky proces duhet të fillojë së pari tek ndarja e partisë nga shteti dhe pushteti, në kohën e zgjedhjeve. Dhe këtë e bën pikërisht “Qeveria Teknike”, në mënyrë që partia që ka pushtetin, të shkëputet nga ushtrimi i pushtetit 3 muaj para zgjedhjeve, që të mos e përdorë atë në sherbim të vehtes.

Habia 1:

Ju keto ia propozoni kryetarit dhe drejtuesve te tjere te partise? Po ata po te donin i kishin bere keto, asgje nuk i ka penguar.

Habia 2:

Ju propozoni nje fushate diskutimi e debati!!! Mos valle duhen pyetur anetaret e partise nese kryetari te zgjidhet nje here ne 4 apo 20 vjet?

E fundit!

Meqë ju sygjeroni një konsultim të gjërë, unë po e jap propozimin tim:

1- Ligji i ri për Partitë Politike, që siguron demokraci të brendshme dhe transparencë financiare. Eshtë hartuar dhe është në Kuvend. Kerko te miratohet!

2- Reformë rrënjësore zgjedhore. Sistem Proporcional Kombëtar me lista të hapura.

3-Qeveri teknike, për menaxhimin e zgjedhjeve, të paktën per 3 legjislatura.

E nderuar zonje!

Qytetarëve u duhet dhënë “Arma” e votës së lirë, përmes të cilës të emërojnë dhe shkarkojnë normalisht qeverinë e tyre. Pa qenë nevojë të kapin pushkët kur u duhet të zëvendësojnë një qeveri.

Të tjerat janë programe qeverisëse. Kush qeveris mirë, rivotohet. Kush nuk qeveris mirë, shkarkohet.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit