Transmetuar më 16-07-2026, 23:30

Një deklaratë e ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare. Gjatë një deklarate publike, ajo tha se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Deklarata është dënuar nga zyrtarë evropianë dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të cilët e kanë cilësuar atë si të papranueshme dhe të dëmshme për procesin e dialogut mes dy vendeve.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, duke e cilësuar deklaratën si “të turpshme” dhe duke theksuar se ajo minon besimin në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Një deklaratë e turpshme nga një ministre e Serbisë, Snezhana Paunoviq. Kjo e shkatërron seriozisht besimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi Terras.

Reagim pati edhe nga pala kosovare. Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, bëri të ditur se çështja është referuar zyrtarisht pranë institucioneve të Bashkimit Evropian.

Sipas Bajramit, deklarata bie ndesh me angazhimet e marra nga Serbia në kuadër të dialogut dhe përbën shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023.

“Deklarata përbën shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023 dhe minon seriozisht dialogun, besimin dhe procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.

Deklarata e ministres serbe është dënuar nga një sërë zyrtarësh vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë theksuar se retorika e tillë është e papajtueshme me përpjekjet për dialog, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve në Ballkanin Perëndimor.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit