Transmetuar më 16-07-2026, 23:13

Elbasani i ka dhënë fund aventurës në Conference League, pasi u eliminua nga BATE Borisov në raundin e parë kualifikues vetëm pas goditjeve të penalltive.

Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Shqipëri, skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenović udhëtoi drejt Azerbajxhanit, ku u luajt sfida e kthimit ndaj bjellorusëve, me synimin për të siguruar kualifikimin në raundin e dytë.

Megjithatë, në 120 minutat e lojës, Elbasani nuk arriti të krijonte raste të mjaftueshme për të vendosur ndeshjen, ndërsa portieri Aleksovski u bë protagonist me disa pritje vendimtare që mbajtën ekipin në garë. Koha e rregullt dhe ajo shtesë u mbyllën me rezultatin 0-0, duke bërë që gjithçka të vendosej nga pika e bardhë.

Seria e penalltive nisi mirë për skuadrën shqiptare, por gjithçka ndryshoi te gjuajtja e pestë, kur Karrica humbi mundësinë për t’i siguruar kualifikimin Elbasanit.

BATE Borisov përfitoi nga gabimi dhe mori epërsinë, ndërsa Epito goditi traversën, duke vulosur fitoren 5-4 të skuadrës bjelloruse në serinë e penalltive.

Në këtë mënyrë, Elbasani mbyll pjesëmarrjen e tij të parë në kompeticionet evropiane, ndërsa BATE Borisov siguron kualifikimin në raundin e dytë të Conference League.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit