Transmetuar më 16-07-2026, 21:55

Dhimbja e fortë dhe e menjëhershme në gjoks nuk duhet konsideruar gjithmonë si një shqetësim i zakonshëm, pasi mund të jetë shenjë e një gjendjeje të rëndë dhe potencialisht fatale, siç është diseksioni i aortës.

Kjo sëmundje është rikthyer në vëmendje pas vdekjes së senatorit amerikan Lindsey Graham, ku sipas gjetjeve paraprake mjeko-ligjore, shkaku i humbjes së jetës lidhet me diseksionin e aortës në kuadër të sëmundjes aterosklerotike kardiovaskulare.

Diseksioni i aortës ndodh kur krijohet një çarje në shtresën e brendshme të aortës, arteria më e madhe e trupit që transporton gjakun nga zemra drejt organeve. Përmes kësaj çarje, gjaku futet mes shtresave të murit të aortës, duke rrezikuar këputjen e saj ose ndërprerjen e furnizimit me gjak të organeve jetike.

Kjo gjendje konsiderohet një urgjencë mjekësore. Në raste të rënda, pacientët mund të humbin jetën menjëherë, ndërsa rreziku rritet ndjeshëm nëse trajtimi vonohet.

Simptoma më e zakonshme është një dhimbje e papritur dhe shumë e fortë në gjoks ose në pjesën e sipërme të shpinës, e cila shpesh përshkruhet si një ndjesi “shqyerjeje” ose “therjeje”.

Në grupin me rrezik më të lartë përfshihen personat me tension të lartë të gjakut, kolesterol të lartë, aterosklerozë, sëmundje të enëve të gjakut, duhanpirësit dhe ata që kanë histori familjare të diseksionit të aortës.

Trajtimi varet nga lloji i diseksionit. Rastet që prekin pjesën e aortës pranë zemrës kërkojnë zakonisht ndërhyrje kirurgjikale urgjente, ndërsa forma të tjera mund të trajtohen me medikamente ose procedura të specializuara.

Mjekët këshillojnë kontrolle të rregullta të tensionit dhe kolesterolit, shmangien e duhanit dhe trajtimin në kohë të problemeve kardiovaskulare për të ulur rrezikun e kësaj sëmundjeje të rrezikshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit