Transmetuar më 16-07-2026, 21:40

Një 18-vjeçar në Britani është dënuar me tre vite burg pasi përplasi me automjet një këmbësor 84-vjeçar, e la të plagosur rëndë në rrugë dhe u largua nga vendi i aksidentit pa i dhënë ndihmë.

Sonny Horsfall u shpall fajtor nga Gjykata e Kurorës në Durham për shkaktim të lëndimeve të rënda përmes drejtimit të rrezikshëm të automjetit, drejtim pa leje, mungesë siguracioni dhe largim nga vendi i aksidentit. Gjykata i ka vendosur gjithashtu ndalimin e drejtimit të automjeteve për katër vite.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 prill në Redcar, North Yorkshire. Sipas hetimeve, 18-vjeçari humbi kontrollin e një automjeti Audi A4, të cilin sapo e kishte blerë, doli në trotuar dhe përplasi 84-vjeçarin Eddie, i cili po kthehej në shtëpi.

Pamjet e kamerave të sigurisë treguan momentin kur makina doli nga rruga dhe goditi të moshuarin, ndërsa i riu u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Gjatë hetimeve, autoritetet zbuluan edhe materiale të regjistruara në telefonin e Horsfall, ku ai shfaqej duke drejtuar me shpejtësi të lartë, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke kaluar semaforë me dritë të kuqe.

Në një prej videove ai dëgjohej duke thënë: “Sapo e bleva këtë bishë”, ndërsa në një tjetër shprehej: “Në djall me dritën e kuqe”.

Pas aksidentit, 18-vjeçari u kthye në shtëpi, porositi pica dhe komunikoi me miqtë përmes Snapchat-it. Në një mesazh zanor ai tha: “Nuk e di çfarë godita… po ha pica”, ndërsa më pas pranoi se kishte menduar se mund të kishte plagosur rëndë ose vrarë dikë.

Prokuroria bëri të ditur se në momentin e aksidentit i riu nuk kishte patentë drejtimi, ishte i skualifikuar për të drejtuar automjete dhe makina nuk ishte e siguruar.

Si pasojë e përplasjes, 84-vjeçari pësoi fraktura të shumta në legen, shpinë dhe këmbën e djathtë. Ai qëndroi disa ditë në kujdes intensiv dhe, pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale, vijon të ketë vështirësi të mëdha në lëvizje dhe dhimbje të vazhdueshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit