

Egnatia ka shkruar një tjetër faqe të rëndësishme për futbollin shqiptar, duke siguruar kualifikimin në raundin e dytë kualifikues të UEFA Champions League pas një fitoreje spektakolare 6-1 ndaj kampionëve të Moldavisë, Petrocub.
Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, skuadra rrogozhinase dhuroi një paraqitje fantastike në “Arena Egnatia”, duke dominuar sfidën që nga minutat e para. Bitri zhbllokoi rezultatin që në minutën e dytë, ndërsa Albanese dhe një autogol i Platica çuan ekipin shqiptar në pushim me avantazhin 3-0.
Në pjesën e dytë, Egnatia vazhdoi presionin dhe gjeti golin e katërt me Yago në minutën e 58-të. Edhe pse Petrocub shënoi një gol ngushëllues, kampionët e Shqipërisë reaguan menjëherë me Bakayokon dhe Grudën, duke vulosur triumfin e thellë 6-1.
Me këtë rezultat, Egnatia siguron një kualifikim historik dhe vazhdon ëndrrën europiane. Në raundin e dytë kualifikues të Champions League, kampionët shqiptarë do të përballen me skuadrën sllovene NK Celje, me synimin për të vijuar rrugëtimin drejt fazave më të avancuara të kompeticionit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






