Transmetuar më 16-07-2026, 19:40

Mazhoranca pritet të propozojë një hartë të re territoriale me 40-50 bashki, ndërsa Tirana mund të ketë një trajtim të veçantë me zgjerim të funksioneve.

Partia Socialiste vijon të mbështesë reduktimin e numrit të bashkive në vend, pavarësisht debatit politik dhe thirrjeve për konsensus në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Mazhoranca pritet të paraqesë një projekt për reformën territoriale që parashikon ndarjen e vendit në një numër më të vogël bashkish, nga 40 deri në 50 njësi vendore.

Arbian Mazniku, bashkëkryetar socialist i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, deklaroi se ulja e numrit të bashkive shihet si një domosdoshmëri për rritjen e kapaciteteve dhe kompetencave të pushtetit vendor.

Sipas tij, disa bashki aktuale nuk kanë burimet e nevojshme njerëzore, numrin e mjaftueshëm të banorëve apo kapacitetin financiar për të funksionuar në mënyrë të qëndrueshme.

“Një numër më i vogël bashkish është parakusht për të pasur mundësi që bashkitë të kenë më shumë kompetenca”, u shpreh Mazniku.

Përveç riorganizimit të bashkive, mazhoranca po shqyrton edhe krijimin e një niveli të ri qeverisjeje rajonale. Sipas socialistëve, modeli me katër rajone shihet si alternativa më e përshtatshme, ndërsa qarqet aktuale nuk parashikohet të ndryshojnë në këtë fazë.

Mazniku bëri të ditur gjithashtu se bashkitë me shumicë minoritare nuk do të preken nga reforma territoriale.

Një kapitull i veçantë pritet t’i kushtohet edhe kryeqytetit. Sipas socialistëve, Tirana mund të ketë zgjerim të funksioneve dhe një organizim të posaçëm, ku në diskutim është edhe përfshirja e aeroportit ndërkombëtar në territorin administrativ të saj.

Mazhoranca synon që projektligji për reformën territoriale të miratohet në fund të muajit shtator ose në fillim të tetorit. Ndërkohë, në seancën e 23 korrikut pritet prezantimi i raportit të mazhorancës, ku do të bëhet publike edhe struktura e re e bashkive që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit