

Komisionarja evropiane për Zgjerim kritikoi deklaratat e ministres serbe Snezana Paunoviç, duke thënë se një retorikë e tillë është e papranueshme për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Snezana Paunoviç lidhur me Kosovën, duke shprehur habi që ajo vijon të mbajë detyrën në Qeverinë e Serbisë.
Në një deklaratë për mediat, Kos i cilësoi tronditëse komentet e ministres serbe dhe tha se është e vështirë të imagjinohet që një zyrtare e lartë të vazhdojë të ushtrojë funksionin pas një deklarate të tillë publike.
“Ishte shokuese të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi Kos.
Deklaratat e Paunoviç, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, kanë shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, Serbi dhe nga përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.
Komisionarja evropiane tha se retorika e tillë ndikon negativisht në procesin e integrimit evropian të Serbisë, duke theksuar se një vend kandidat për në BE nuk mund të mbështetet në mesazhe antievropiane dhe gjuhë përçarëse.
Sipas Kos, niveli i ulët i mbështetjes për integrimin evropian në Serbi lidhet edhe me mesazhet e politikanëve dhe mënyrën e trajtimit të çështjeve të ndjeshme në media.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar duke thënë se deklarata e Paunoviç nuk përfaqëson qëndrimin e tij personal apo politikën e Qeverisë serbe, duke e cilësuar atë si një deklaratë “të pamatur”.
Reagimet ndërkombëtare vijojnë pas deklaratave të ministres serbe, të cilat janë cilësuar nga kritikët si të papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e pajtimit dhe bashkëjetesës në rajon.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






