Transmetuar më 16-07-2026, 19:25

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë tha se deklaratat e ministres Snezhana Paunoviç kanë shkaktuar shqetësim te shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe njoftoi se ka nisur procedurat për shkarkimin e saj.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviç, duke i cilësuar ato shqetësuese për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Në një intervistë për mediat, Kamberi u shpreh se deklaratat e ministres nuk mund të konsiderohen si qëndrime personale apo të zakonshme, pasi ajo ushtron një funksion të rëndësishëm institucional, me përgjegjësi në administratën publike dhe çështjet që lidhen me regjistrat qytetarë dhe zgjedhorë.

Sipas tij, retorika e përdorur nga Paunoviç ka krijuar ndjenjë frike dhe pasigurie te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Kur një deklaratë e tillë vjen nga një ministre përgjegjëse për të drejtat qytetare dhe nga një qeveri që hesht, shqetësimi është real”, deklaroi Kamberi.

Deputeti bëri të ditur se ka nisur procedurat për shkarkimin e ministres serbe, duke kërkuar mbështetjen e deputetëve të opozitës dhe forcave politike pro-evropiane në Serbi.

Ai theksoi se fati i kësaj nisme do të varet edhe nga qëndrimi që do të mbajë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe nga reagimi i Bashkimit Evropian.

Kamberi kritikoi gjithashtu përpjekjet për të relativizuar deklaratat e ministres, duke argumentuar se një pjesë e politikës serbe vazhdon të mbështetet në retorikë që, sipas tij, lidhet me periudhën e viteve ’90.

Në përfundim, ai theksoi se do të vijojë angazhimin politik për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke kërkuar reagim të institucioneve ndërkombëtare ndaj çdo veprimi që, sipas tij, cenon të drejtat e komuniteteve dhe bashkëjetesën.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit