Transmetuar më 16-07-2026, 18:52

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se analizat laboratorike kanë rezultuar brenda standardeve të sigurisë ushqimore, duke i hapur rrugë rifillimit të aktivitetit të kompanisë së kateringut.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka vendosur të zhbllokojë aktivitetin e kompanisë së kateringut “Sori-Al”, e cila ishte pezulluar në qershor pas dyshimeve për helmimin e 64 kursantëve të Akademisë së Sigurisë.

Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, analizat laboratorike të kryera mbi 33 mostra ushqimore dhe tamponë higjienikë të marrë nga ambientet dhe pajisjet e kuzhinës kanë rezultuar brenda normave të sigurisë ushqimore.

Autoriteti bën me dije se më 25 qershor 2026 u morën 14 mostra nga vaktet e drekës dhe darkës, si dhe pesë mostra tamponësh ambientalë në ambientet e Garnizonit “Skënderbej” në Tiranë. Të gjitha analizat mikrobiologjike të kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) rezultuan konforme.

Ndërkohë, kompania “Sori-Al” kreu edhe analizat e vetëkontrollit për ambientet, pajisjet dhe personelin, të cilat gjithashtu rezultuan në përputhje me kërkesat ligjore.

Pas njoftimit të subjektit për rezultatet e analizave, më 10 korrik 2026 inspektorët e AKU-së zhvilluan një kontroll të ri në ambientet e kuzhinës dhe morën tre mostra të tjera tamponësh ambientalë, të cilat u analizuan nga ISUV.

Me konfirmimin se edhe këto analiza përmbushnin standardet e higjienës dhe sigurisë ushqimore, AKU vendosi të heqë masën e pezullimit dhe të lejojë rifillimin e aktivitetit të kompanisë.

Si rrjedhojë, “Sori-Al” është autorizuar të vijojë gatimin dhe furnizimin me ushqime në kuzhinën që ndodhet brenda Garnizonit “Skënderbej” në Tiranë.

Kujtojmë se gjatë këtij viti janë raportuar dy episode të dyshuara helmimi në Akademinë e Sigurisë, ku fillimisht në muajin maj u prekën 52 studentë, ndërsa në qershor u raportua helmimi i 64 kursantëve. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtyre rasteve kanë vijuar nga institucionet përgjegjëse.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit