

Një postim i publikuar pesë vite më parë në rrjetin social X është bërë viral, pasi përmend finalen e Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës, madje edhe rezultatin e saj
Një postim i publikuar në vitin 2021 në rrjetin social X është rikthyer në qendër të vëmendjes së tifozëve të futbollit, pasi duket se ka "parashikuar" finalen e Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës.
Interesi për postimin u rrit pas fitores 2-0 të Spanjës ndaj Francës në gjysmëfinale, ndërsa mori edhe më shumë vëmendje pas triumfit 2-1 të Argjentinës ndaj Anglisë, rezultat që vulosi përballjen mes dy skuadrave në finalen e madhe.
Postimi, i publikuar më 12 korrik 2021 nga një përdorues që e prezantonte veten si "udhëtar në kohë", shkruante: "Argjentina sapo e mposhti Spanjën 3-2 në finalen e Kupës së Botës 2026."
Mesazhi është bërë viral në rrjetet sociale, duke nxitur mijëra reagime dhe komente me humor. "Si e dinte?", është një nga pyetjet që është shpërndarë më shumë nga përdoruesit.
Sipas këtij pretendimi, Argjentina do të fitojë trofeun e katërt të Kupës së Botës, pasi të mposhtë Spanjën me rezultatin 3-2 në finalen që do të zhvillohet të dielën.
Ndërkohë, një tjetër postim i ngjashëm, i publikuar në TikTok, nuk rezultoi i saktë. Ai parashikonte një finale mes Meksikës dhe Argjentinës me triumfin e meksikanëve pas goditjeve të penalltive, por ky skenar u rrëzua pasi Meksika u eliminua nga Anglia në fazën me eliminim direkt.
Pavarësisht popullaritetit që ka fituar në internet, postimi i vitit 2021 nuk përbën një parashikim të verifikuar dhe konsiderohet si një rastësi apo spekulim. Përgjigjja përfundimtare do të jepet vetëm pas zhvillimit të finales së Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Spanjës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






