Transmetuar më 16-07-2026, 17:52

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka reaguar institucionalisht përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke komentuar deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç për Kosovën.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila gjatë një interviste deklaroi se “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”, duke shkaktuar reagime në Kosovë dhe Shqipëri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama tha se Shqipëria ka ndjekur rrugën institucionale për këtë çështje, duke theksuar se reagimi është bërë përmes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Ne kemi reaguar përmes ministrit të jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten”, shkroi Rama.

Kryeministri kritikoi gjithashtu ata që, sipas tij, kërkojnë reagime publike ndaj çdo deklarate provokuese që vjen nga Serbia.

“Kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë”, u shpreh ai.

Në reagimin e tij, Rama argumentoi se jo çdo deklaratë e bërë nga figura publike në Serbi kërkon domosdoshmërisht një përgjigje nga çdo institucion apo autoritet shqiptar.

Ai kritikoi edhe reagimet e disa zërave në Tiranë, duke i akuzuar se shfrytëzojnë situata të tilla për retorikë politike dhe për të marrë, sipas tij, “poza luftëtarësh në front”.

Deklaratat e Ramës vijnë pasi ministrja serbe Snezhana Paunoviç u vu në qendër të polemikave për komentet e saj lidhur me Kosovën, të cilat kanë sjellë reagime edhe nga autoritetet në Prishtinë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit