

Ish-deputeti demokrat akuzon drejtimin e Partisë Demokratike se gara për postet drejtuese ishte formale dhe kishte si synim largimin e Luçiano Boçit nga posti i nënkryetarit.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Muslim Murrizi, ka reaguar pas zgjedhjeve për postet drejtuese në PD, ku Flamur Noka u rikonfirmua në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Murrizi ngriti akuza për mënyrën e zhvillimit të procesit zgjedhor brenda partisë, duke pretenduar se kandidatët rivalë në disa raste ishin formalë dhe se rezultati ishte i paracaktuar.
Sipas tij, e vetmja garë reale ishte ajo mes Luçiano Boçit dhe Belind Këlliçit për një nga postet e nënkryetarit të Partisë Demokratike.
“E vetmja garë dje, por edhe ajo e qëllimshme për të hequr si nënkryetar Luçiano Boçin, ishte ajo midis Luçiano Boçit dhe Belind Këlliçit”, shkroi Murrizi.
Ai pretendoi se pas largimit të Boçit nga drejtimi i partisë, struktura e Rithemelimit ka ndryshuar ndjeshëm, duke shtuar se në drejtimin e PD-së janë rikthyer figura që më herët kishin mbështetur ish-kryetarin Lulzim Basha.
Në reagimin e tij, Murrizi e cilësoi procesin si një "ripërtypje" dhe jo si një "ripërtëritje" të Partisë Demokratike, duke vënë në pikëpyetje përfaqësimin e figurave që, sipas tij, kanë marrë mbështetje më të madhe nga anëtarësia dhe elektorati.
Ai kritikoi gjithashtu përbërjen e ekipit të ri drejtues, duke argumentuar se në të janë përfshirë figura me pak kontribut politik dhe mbështetje elektorale.
Deklaratat e Murrizit vijnë në një moment kur Partia Demokratike po riorganizon strukturat e saj drejtuese, pas procesit të zgjedhjeve të brendshme dhe në prag të përgatitjeve për aksionin e ri politik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






