Transmetuar më 16-07-2026, 15:56

Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti “Smart City” do të sjellë një transformim në sigurinë publike përmes inteligjencës artificiale dhe monitorimit në kohë reale, duke synuar rritjen e parandalimit dhe zbulimit të shkeljeve.

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar projektin “Smart City”, një sistem i ri teknologjik për sigurinë publike, i cili sipas tij do të ndryshojë mënyrën se si institucionet identifikojnë dhe parandalojnë ngjarjet kriminale.

Gjatë prezantimit të Qendrës së Komandës dhe Kontrollit të këtij projekti, Rama tha se sistemi do të mundësojë marrjen e informacionit në kohë reale për situata me rrezik potencial, përmes përdorimit të inteligjencës artificiale dhe një rrjeti të integruar monitorimi.

Sipas kryeministrit, teknologjia e re do ta bëjë shumë më të vështirë zhdukjen e gjurmëve nga autorët e veprave penale.

“Historia e makinave që kryejnë akte kriminale dhe më pas gjenden të djegura nuk mund të ndodhë më”, deklaroi Rama, duke shtuar se sistemi do të mundësojë identifikimin e automjeteve dhe lëvizjeve të dyshimta përpara se të humbasin gjurmët.

Ai shpjegoi se platforma do të jetë në gjendje të sinjalizojë situata të ndryshme, përfshirë persona në kërkim, mjete që shkelin detyrimet ligjore apo raste të mundshme rreziku në ambiente publike.

Rama theksoi se qëllimi i projektit nuk është eliminimi i plotë i ngjarjeve kriminale, por rritja e ndjeshme e kapaciteteve parandaluese të institucioneve.

“Jo se nuk do të ndodhë më asgjë, por niveli i parandalimit do të rritet në mënyrë eksponenciale, niveli i rreziqeve do të ulet dhe zbulueshmëria e shkeljeve do të rritet”, u shpreh ai.

Një tjetër element i përmendur nga kryeministri është lidhja e kamerave të trupit të punonjësve të policisë me qendrën e monitorimit, si pjesë e një sistemi më të gjerë kontrolli dhe dokumentimi.

Rama foli gjithashtu për sigurinë në shkolla, duke deklaruar se projekti do të përfshijë edhe ndërveprimin me prindërit dhe institucionet arsimore, me synim parandalimin e ngjarjeve të rënda që prekin të miturit.

Sipas tij, përveç rreziqeve tradicionale, një sfidë e re për të rinjtë është ndikimi i përmbajtjeve dhe algoritmeve në internet, të cilat ai i cilësoi si një nga problemet që kërkojnë vëmendje të shtuar.

Projekti “Smart City” synon të kombinojë teknologjinë, analizën e të dhënave dhe reagimin institucional për krijimin e një sistemi më të shpejtë dhe efikas të sigurisë publike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit