Transmetuar më 16-07-2026, 14:59

Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë hap rrugën për përafrimin e kuadrit ligjor me standardet e Bashkimit Europian, duke parashikuar edhe mënyrën e funksionimit të bankës qendrore në rastin e hyrjes së vendit në Eurozonë.

Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet ligjore për një të ardhme me monedhën euro. Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik, përfshin për herë të parë një kapitull të veçantë që përcakton rolin dhe përgjegjësitë e bankës qendrore pas adoptimit të euros si monedhë kombëtare.

Sipas draftit, nga dita e prezantimit të euros si monedhë e Republikës së Shqipërisë, euro do të bëhet njësia monetare zyrtare e vendit. Banka e Shqipërisë do të ketë përgjegjësinë për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian dhe të Bankës Qendrore Europiane.

Gjithashtu, institucioni do të përcaktojë dizajnin e monedhave metalike euro që do të emetohen nga Shqipëria, duke respektuar standardet europiane.

Megjithatë, përfshirja e këtyre dispozitave në ligj nuk nënkupton një kalim të menjëhershëm te euro. Zbatimi i tyre do të bëhet vetëm pasi Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe të përmbushë kriteret ekonomike të konvergjencës të nevojshme për hyrjen në Eurozonë.

Reforma synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian dhe krijimin e bazës institucionale për integrimin e Bankës së Shqipërisë në Sistemin Europian të Bankave Qendrore.

Përveç përgatitjeve për adoptimin e euros, projektligji sjell ndryshime të rëndësishme në funksionimin e bankës qendrore. Një prej pikave kryesore është forcimi i pavarësisë institucionale, funksionale, financiare dhe personale të Bankës së Shqipërisë, duke përcaktuar se ajo nuk duhet të marrë udhëzime nga qeveria apo institucione të tjera publike.

Drafti përcakton si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe zgjeron mandatin e bankës për garantimin e stabilitetit financiar. Për herë të parë përfshihet një kapitull i posaçëm për politikën makroprudenciale, duke i dhënë Bankës së Shqipërisë kompetenca më të gjera për identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve në sistemin financiar.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu zgjerim të kompetencave mbikëqyrëse të bankës, përfshirë mundësinë për inspektime më të plota, kërkesa shtesë për informacion dhe masa administrative ndaj institucioneve financiare që mbikëqyren.

Projektligji forcon edhe kuadrin për sistemet e pagesave, administrimin e rezervave valutore dhe mbledhjen e statistikave monetare e financiare, në përputhje me praktikat europiane.

Në fushën e qeverisjes së Bankës së Shqipërisë, drafti parashikon kritere më të forta profesionale dhe integriteti për drejtuesit e saj, si dhe krijimin e Komitetit të Politikës Monetare dhe Komitetit të Stabilitetit Financiar si struktura këshillimore për Këshillin Mbikëqyrës.

Një tjetër ndryshim lidhet me forcimin e pavarësisë financiare të bankës qendrore. Kapitali i nënshkruar parashikohet të rritet nga 2.5 miliardë në 6 miliardë lekë, ndërsa vendoset një mekanizëm i ri për rikapitalizimin në rastet kur kapitali bie nën nivelin minimal.

Me këto ndryshime, Shqipëria synon të ndërtojë gradualisht bazën ligjore dhe institucionale që do t’i nevojitet në procesin e integrimit europian dhe në perspektivën e anëtarësimit në Eurozonë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit