Transmetuar më 16-07-2026, 14:45

Ministrja Mirela Kumbaro ka deklaruar se zgjatja e qëndrimit të nxënësve në shkolla kërkon masa të reja sigurie dhe kombinimin e teknologjisë me monitorimin njerëzor, përmes projektit “Smart City”.

Një qasje e re për sigurinë dhe funksionimin e institucioneve arsimore pritet të zbatohet në shkollat e vendit, duke synuar krijimin e një mjedisi më gjithëpërfshirës për nxënësit.

Ministrja Mirela Kumbaro bëri të ditur se po punohet për një sistem të ri bashkëpunimi dhe sinjalizimi mes mësuesve, psikologëve dhe oficerëve të sigurisë, me qëllim parandalimin e problematikave dhe forcimin e komunikimit brenda komunitetit shkollor.

Sipas Kumbaros, objektivi nuk është survejimi i fëmijëve, por edukimi i tyre në një mjedis të sigurt dhe krijues.

“Ne nuk duam të kemi fëmijë të survejuar, por duam të kemi fëmijë të edukuar”, u shpreh ministrja, duke theksuar se shkolla duhet të shihet përtej programit tradicional mësimor, si një hapësirë ku ndërthuren edukimi, argëtimi, kreativiteti, sporti dhe aktivitetet praktike.

Një nga ndryshimet kryesore të kësaj qasjeje është zgjatja e kohës së qëndrimit të nxënësve në shkolla edhe pas përfundimit të orarit të zakonshëm mësimor. Kjo nismë është testuar përmes një projekti pilot në 47 shkolla të Tiranës gjatë periudhës së shkollave verore.

Me rritjen e kohës së qëndrimit të fëmijëve në ambiente arsimore, sipas ministres, bëhet e domosdoshme rritja e standardeve të kontrollit dhe sigurisë në këto hapësira.

Për këtë arsye, qeveria synon të ndërthurë përdorimin e teknologjisë me mbikëqyrjen njerëzore, duke e parë projektin “Smart City” si një instrument për krijimin e shkollave më të sigurta.

“Të gjitha këto ndodhin sepse duam të kombinojmë teknologjinë me syrin e gjithsecilit. Kjo është siguria. Dhe qyteteve smart iu duhen njerëz smart. Prandaj ‘Smart City’ është projekti i duhur për shkollat tona”, deklaroi Kumbaro.

Sipas saj, kjo nismë po koordinohet edhe me Ministrinë e Brendshme, me synimin për të garantuar një sistem më të plotë sigurie në institucionet arsimore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit