Transmetuar më 16-07-2026, 14:18

Shfaqja madhështore në “MetLife Stadium” do të sjellë një ndryshim të pazakontë në finalen e turneut, pasi pushimi mes dy pjesëve pritet të zgjasë më shumë se 15 minutat standarde.

Finalja e Kupës së Botës të dielën do të ketë një nga pushimet më të gjata mes pjesëve në historinë e kompeticionit, për shkak të organizimit të spektaklit të parë të realizuar gjatë intervalit të ndeshjes.

Sipas njoftimeve të publikuara nga mediat sportive, FIFA ka konfirmuar se shfaqja në “MetLife Stadium” në Nju Xhersi do të zgjasë rreth 11 minuta, duke bërë që pushimi mes pjesëve të tejkalojë kufirin tradicional prej 15 minutash.

Në spektaklin e shumëpritur do të marrin pjesë disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare, mes tyre Madonna, Shakira, Justin Bieber, Coldplay dhe grupi koreano-jugor BTS.

Sipas rregullave të Bordit Ndërkombëtar të Shoqatës së Futbollit (IFAB), pushimi mes pjesëve nuk duhet të kalojë 15 minuta, ndërsa çdo zgjatje e tij kërkon miratimin e arbitrit të ndeshjes.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë globale të eventeve “Identity”, Michael Gietzen, e ka cilësuar vendimin e FIFA-s si të arsyeshëm. Sipas tij, finalja e Kupës së Botës është më shumë se një ndeshje futbolli, pasi përfaqëson një ngjarje globale që zhvillohet vetëm një herë në katër vjet dhe ndiqet nga miliona tifozë në mbarë botën.

Ai ka theksuar se një spektakël i tillë nuk e zbeh rëndësinë sportive të finales, por i shton vlerë përvojës së tifozëve dhe krijon momente të paharrueshme për publikun.

Përpara nisjes së finales do të zhvillohet edhe ceremonia përmbyllëse e turneut, ku janë planifikuar performanca nga Laura Pausini, Nicole Scherzinger, Robbie Williams dhe ylli i YouTube, IShowSpeed. Në aktivitet pritet të marrë pjesë edhe aktori i njohur Tom Cruise.

FIFA ka bërë të ditur se ceremonia në “MetLife Stadium” do të rikthejë momentet kryesore të rrugëtimit të Kupës së Botës me 48 skuadra, një format që nisi më 11 qershor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit