Transmetuar më 16-07-2026, 13:23

Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit Gjuro Macut, pasi deklaratat e saj lidhur me Kosovën shkaktuan reagime të forta brenda dhe jashtë Serbisë.

Paunoviç pretendoi se deklarata e saj ishte nxjerrë nga konteksti dhe se në publik ishte shpërndarë vetëm një fragment prej disa sekondash nga intervista.

Megjithatë, në intervistën e transmetuar, ministrja dëgjohet duke deklaruar se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, "do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën".

Pas reagimeve, ajo sqaroi se deklarata përfaqësonte, sipas saj, një interpretim historik dhe jo qëndrimin zyrtar të qeverisë serbe.

"Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë", u shpreh Paunoviç.

Ministrja pretendoi gjithashtu se kishte pasur parasysh largimin e personave që, sipas saj, "nuk ndiheshin pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë", ndërsa ata që do të zgjidhnin "veprime terroriste" do të trajtoheshin si terroristë.

Paunoviç komentoi edhe vendimin e autoriteteve të Kosovës për ta shpallur atë **persona non grata**, duke e cilësuar masën si paradoksale dhe duke deklaruar se ndalimi i përhershëm i hyrjes së saj në Kosovë ishte marrë nga ato që ajo i quajti "institucionet e përkohshme të Kosovës".

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit