Transmetuar më 16-07-2026, 13:15

Shqipëria pritet të krijojë një sistem elektronik për monitorimin e pagesave ndërkufitare, i cili do të regjistrojë transaksionet e kryera nga vendi drejt shteteve të tjera, si dhe transfertat e realizuara përmes bankave dhe institucioneve të pagesave.

Nisma parashikohet në një projektligj të hartuar nga Ministria e Financave, me synimin për ta përafruar Shqipërinë me sistemin evropian CESOP (Central Electronic System of Payment Information), rrjeti i Bashkimit Evropian për shkëmbimin e informacionit mbi pagesat ndërkufitare.

Sipas projektligjit, bankat dhe institucionet e tjera të pagesave do të kenë detyrimin t’i raportojnë administratës tatimore të dhëna mbi pagesat që kryhen ndërmjet shteteve.

Më pas, administrata tatimore shqiptare do ta shkëmbejë këtë informacion me autoritetet tatimore të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke forcuar bashkëpunimin në luftën kundër evazionit fiskal.

Qëllimi i këtij mekanizmi është parandalimi i mashtrimeve tatimore, mosdeklarimit të të ardhurave dhe shmangies së TVSH-së, veçanërisht në tregtinë elektronike dhe blerjet online.

Ky është sistemi i parë i këtij lloji që parashikohet të ngrihet në Shqipëri dhe konsiderohet pjesë e procesit të harmonizimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas projektligjit, dispozitat e reja do të hyjnë në fuqi në momentin kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit