

Shqipëria vijon të jetë destinacioni kryesor i pushuesve nga Kosova edhe gjatë sezonit veror 2026. Përfaqësues të sektorit të turizmit dhe biznesit vlerësojnë se, pas një periudhe kur shumë qytetarë eksploruan destinacione të tjera evropiane pas liberalizimit të vizave, këtë vit vihet re një rikthim i ndjeshëm drejt bregdetit shqiptar.
Sipas tyre, afërsia gjeografike, çmimet konkurruese, infrastruktura rrugore, oferta turistike dhe lidhjet kulturore e familjare vazhdojnë të jenë faktorët kryesorë që e bëjnë Shqipërinë zgjedhjen më të preferuar për pushuesit nga Kosova.
Kryetari i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj, tha se qytetarët e Kosovës përbëjnë mbi gjysmën e turistëve gjatë sezonit veror në Shqipëri, duke theksuar se pakot "all inclusive" janë mesatarisht mbi 20% më të lira krahasuar me destinacione si Greqia, Turqia, Mali i Zi apo Kroacia.
Edhe Unioni i Turizmit të Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës vlerësojnë se Shqipëria mbetet destinacioni më i rëndësishëm për pushuesit kosovarë. Sipas tyre, përmirësimi i organizimit të sezonit turistik, kontrolli më i madh i çmimeve dhe larmia e ofertës kanë ndikuar pozitivisht në këtë prirje.
Sipas një studimi të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), qytetarët e Kosovës pritet të shpenzojnë rreth 195 milionë euro në Shqipëri vetëm gjatë fundjavave të sezonit turistik, nga maji deri në tetor 2026. Studimi vlerëson se një pushues shpenzon mesatarisht rreth 300 euro për një qëndrim dy deri në tre net, duke përfshirë akomodimin, ushqimin, transportin dhe shërbime të tjera.
Ndërkohë, të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2026 hyrjet e shtetasve nga Kosova në Shqipëri u rritën me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke përmbysur rënien e regjistruar gjatë vitit 2025. Kosova vijon të mbetet tregu kryesor i turizmit hyrës në Shqipëri, duke përfaqësuar rreth 34% të të gjitha hyrjeve të vizitorëve të huaj në vend.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






