Transmetuar më 16-07-2026, 07:44

Rreth 97.100 persona janë të punësuar në profesionet e rregulluara në Shqipëri, të shpërndarë në 18 kategori profesionale, ku përfshihen mjekë, infermierë, mësues, stomatologë, avokatë, noterë, përmbarues, auditues dhe ekspertë kontabël.

Të dhënat publikohen në Planin Kombëtar të Veprimit për Transparencën dhe Proporcionalitetin e Kritereve për Ushtrimin e Profesioneve të Rregulluara, të hartuar nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me GIZ.

Sipas dokumentit, profesionet e rregulluara përfaqësojnë rreth 8% të punësimit total në vend, ndërsa kontribuojnë me 4–5% në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), me një ndikim indirekt që arrin deri në 10%.

Arsimi dhe shëndetësia përbëjnë sektorët me numrin më të madh të profesionistëve. Në Shqipëri ushtrojnë profesionin rreth 36.321 mësues, 23.800 infermierë dhe afro 9.100 mjekë. Më tej renditen rreth 5.000 avokatë, 4.240 inxhinierë ndërtimi, 3.927 stomatologë, 2.920 farmacistë dhe 2.171 fizioterapistë.

Sa i përket pagave, mjekët dhe stomatologët rezultojnë profesionistët më të mirëpaguar. Paga mesatare mujore e mjekëve llogaritet rreth 120 mijë lekë, ndërsa ajo e stomatologëve rreth 100 mijë lekë. Për avokatët, noterët, përmbaruesit privatë, audituesit ligjorë dhe ekspertët kontabël, paga mesatare mujore vlerësohet në rreth 88.800 lekë.

Raporti evidenton gjithashtu pabarazi gjinore dhe territoriale. Gratë përbëjnë mbi 70% të të punësuarve në profesionet e infermierisë dhe mësuesisë, ndërsa në drejtësi dhe inxhinieri përfaqësimi i tyre mbetet nën 40%.

Nga ana tjetër, shumica e profesionistëve janë të përqendruar në Tiranë dhe qytetet e mëdha, ndërsa zonat rurale vijojnë të përballen me mungesë specialistësh, veçanërisht në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.

Plani Kombëtar identifikon rreth 337 profesione të rregulluara, të mbikëqyrura nga 33 institucione shtetërore dhe profesionale. Dokumenti synon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, duke propozuar procedura më të thjeshta licencimi, rritje të transparencës dhe ulje të barrierave për hyrjen në profesion.

Sipas analizës, reforma synon të lehtësojë aksesin në tregun e punës për profesionistët e rinj, të rrisë konkurrencën dhe të përmirësojë shpërndarjen e specialistëve në të gjithë territorin e vendit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit