Transmetuar më 16-07-2026, 07:20

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, u shfaq i zhgënjyer pas humbjes 2-1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Botërorit, një rezultat që i dha fund rrugëtimit të “Tre Luanëve” në turne.

Në prononcimin pas ndeshjes, tekniku gjerman pranoi se skuadra e tij humbi ritmin pas golit të avantazhit dhe nuk arriti të menaxhonte presionin e ushtruar nga kundërshtari.

“Nuk e lëvizëm topin siç duhej dhe lejuam shumë krosime e raste për kundërshtarin. Pasi shënuam, nuk ruajtëm të njëjtin nivel të lojës”, deklaroi Tuchel.

Ai shtoi se Anglia u bë gjithnjë e më pasive me kalimin e minutave, duke i lënë iniciativën Argjentinës.

“Nuk mund ta fitonim më topin. U bëmë gjithnjë e më pasivë. Nuk ishte një problem strukturor, por loja ndryshoi plotësisht”, u shpreh trajneri i Anglisë.

Tuchel komentoi edhe kritikat ndaj tij pas eliminimit, duke theksuar se i konsideron pjesë të natyrshme të futbollit.

“E kuptoj që këto diskutime rreth meje po vazhdojnë dhe se, në fund të ndeshjes, ka miliona trajnerë që mendojnë se dinë më shumë se unë”, përfundoi ai.

Anglia u eliminua në gjysmëfinale pas humbjes ndaj Argjentinës, ndërsa kombëtarja amerikano-jugore do të përballet me Spanjën në finalen e Botërorit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit