

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar një reagim më të fortë nga Shqipëria pas deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviç, të cilat kanë shkaktuar reagime në Kosovë dhe rajon.
Në një intervistë për Euronews Albania, Sveçla u shpreh se Shqipëria, sipas tij, ka një përgjegjësi të veçantë për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe duhet të mbajë një qëndrim më aktiv ndaj deklaratave që ai i konsideron kërcënuese.
“Duke qenë se Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve dhe duke qenë se në vetë Kushtetutën e Shqipërisë është obligim mbrojtja e shqiptarëve dhe interesave të tyre, unë pres më shumë. Pres një reagim faktik dhe aktiv ndaj këtyre kërcënimeve”, deklaroi Sveçla.
Ai shtoi se deklaratat e ministres serbe nuk duhen parë vetëm si qëndrime politike, por si mesazhe që, sipas tij, lidhen me ngjarjet e së kaluarës dhe me raportet mes Serbisë dhe Kosovës.
Sveçla kërkoi gjithashtu një reagim më konkret nga institucionet shqiptare dhe bëri thirrje për, sipas tij, "demaskimin e kësaj sjelljeje dyfytyrëshe të Beogradit".
Deklaratat e ministrit të Brendshëm të Kosovës vijnë pas reagimeve të shumta të shkaktuara nga deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç lidhur me Kosovën, të cilat janë dënuar nga autoritetet e Kosovës dhe kanë nxitur reagime edhe në Serbi dhe në arenën ndërkombëtare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






