

Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, në një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes dy vendeve. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), sulmet kishin në shënjestër infrastrukturë ushtarake që, sipas Uashingtonit, përdorej për të kërcënuar lirinë e lundrimit dhe anijet tregtare në këtë korridor strategjik detar.
Sipas mediave ndërkombëtare, operacioni ushtarak nisi gjatë pasdites, ndërsa mediat iraniane raportuan shpërthime në zonën e Bandar Abbas. Deri tani, autoritetet iraniane nuk kanë publikuar një bilanc zyrtar për dëmet materiale apo viktimat.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se administrata amerikane po shqyrton zgjerimin e operacioneve ushtarake kundër Iranit. Sipas raportimeve, ndër opsionet që po vlerësohen janë intensifikimi i sulmeve ajrore dhe goditja e objektivave të tjera strategjike, nëse nuk arrihet një marrëveshje me Teheranin.
Duke folur për gazetarët, Trump deklaroi se nuk dëshiron të vendosë afate për Iranin, por paralajmëroi se pasojat mund të jenë të rënda nëse nuk rifillojnë negociatat.
“Nuk më pëlqen të jap afate, por ata e dinë shumë mirë se si shkon. Më mirë të sillen mirë”, tha presidenti amerikan.
Në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi gjithashtu se SHBA mund të zgjerojë listën e objektivave duke përfshirë termocentrale dhe ura, nëse Irani nuk rikthehet në tryezën e bisedimeve. Këto deklarata kanë nxitur reagime dhe shqetësime ndërkombëtare për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






