

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se do të ndërpresë përkohësisht angazhimet për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, pas nisjes së një iniciative brenda partisë për shkarkimin e tij.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Abdixhiku tha se ka autorizuar sekretariatin e LDK-së që të nisë procedurat për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm partiak, pasi 148 delegatë kanë dorëzuar nënshkrime për mbajtjen e tij.
Ai deklaroi se, pas verifikimit të nënshkrimeve, do të përcaktohen data dhe vendi i zhvillimit të Kuvendit.
“Për shkak të kësaj nisme, detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës që i prisni me të drejtë tash e sa kohë”, u shpreh Abdixhiku.
Sipas tij, nuk do të ishte e përgjegjshme që të vazhdonte negociatat në emër të LDK-së, ndërkohë që pozita e tij drejtuese është vënë në diskutim brenda partisë.
“Mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”, tha kreu i LDK-së.
Abdixhiku shprehu shqetësimin se zhvillimet e brendshme në parti mund të ndikojnë edhe në procesin e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, duke paralajmëruar se vendi mund të përballet edhe me zgjedhje të reja nëse nuk arrihet një zgjidhje politike.
Ai gjithashtu deklaroi se nuk beson që bisedimet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë qenë arsyeja e thirrjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së.
Nisma për Kuvendin e jashtëzakonshëm
Më herët, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, bëri të ditur se janë mbledhur dhe dorëzuar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.
Sipas statutit të LDK-së, Kuvendi i jashtëzakonshëm mund të thirret me kërkesën e të paktën një të tretës së delegatëve. Kuvendi i partisë përbëhet nga 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, si dhe kryetari aktual i partisë.
Pakënaqësitë ndaj Abdixhikut janë shtuar pas rezultatit të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të qershorit, ku partia siguroi 18 mandate në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.
Negociatat për institucionet e reja
Zhvillimet brenda LDK-së vijnë në një kohë kur Abdixhiku kishte nisur bisedimet me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.
Më 10 korrik, Abdixhiku dhe ish-presidentja Vjosa Osmani zhvilluan diskutime me Kurtin, ndërsa pas takimit palët shprehën gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve.
Raportimet për një marrëveshje paraprake mes LDK-së dhe LVV-së për ndarjen e posteve shtetërore janë mohuar nga burime brenda LDK-së, të cilat kanë deklaruar se “nuk ka ndonjë marrëveshje”.
Kjo nuk është hera e parë që Abdixhiku përballet me kërkesa për dorëheqje. Edhe në janar të këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare, ai u përball me kritika brenda partisë, por arriti të mbijetojë një proces votëbesimi në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës është themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova dhe konsiderohet një nga partitë më të vjetra politike në Kosovë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






