Transmetuar më 15-07-2026, 22:02

Gazetari Lavdërim Lita ka deklaruar se, sipas informacioneve të tij, Flamur Noka ka ofruar disa herë dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, por ajo nuk është pranuar nga kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Në një intervistë për A2, Lita tha se Berisha ka këmbëngulur që Noka të vijojë të mbajë këtë funksion, duke argumentuar se ai e konsideron të rëndësishëm rolin e tij në strukturat drejtuese të partisë.

“Do t’ua them si lajm, që unë e di para shumë kohësh, z. Noka ka ofruar disa herë dorëheqjen te z. Berisha, por është z. Berisha që këmbëngul që z. Noka të qëndrojë aty”, u shpreh Lita.

Sipas gazetarit, në rast të një largimi të Nokës, përgjegjësitë për drejtimin e partisë do të kalonin te persona të tjerë. Ai gjithashtu shprehu mendimin e tij mbi mënyrën e funksionimit të marrëdhënieve drejtuese brenda PD-së.

“Në PD është z. Berisha që vendos dhe z. Noka që zbaton urdhrat e z. Berisha”, deklaroi Lita.

Deklaratat e gazetarit vijnë në një kohë kur Partia Demokratike po zhvillon procesin për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese, ku Flamur Noka është sërish kandidat për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, përballë deputetit Saimir Korreshi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit