Transmetuar më 15-07-2026, 21:04

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas deklaratave të ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, të cilat kanë shkaktuar reagime të shumta në Serbi, Kosovë dhe arenën ndërkombëtare.

Gjatë një prononcimi për mediat në Kiev, Vuçiç i cilësoi deklaratat e ministres si “të pakujdesshme” dhe “të papërgjegjshme”, duke theksuar se ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të tij apo të qeverisë serbe.

“Kjo deklaratë nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e presidentit dhe qeverisë së Serbisë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm. Politika jonë është dialogu, kompromisi, paqja dhe stabiliteti dhe kurrë spastrimi etnik”, deklaroi Vuçiç, sipas medias serbe Danas.

Reagimi i presidentit serb erdhi pas deklaratave të Paunoviç, e cila është raportuar të ketë thënë se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, do të kishte ndërmarrë veprime për “spastrim etnik” në Kosovë.

Deklaratat kanë shkaktuar reagime nga opozita serbe, përfaqësues evropianë dhe institucionet e Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka bërë të ditur gjithashtu se Paunoviç është shpallur person “non grata”.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje debatet mbi retorikën politike ndaj Kosovës dhe trashëgiminë e konflikteve të viteve ’90 në rajon.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit