Transmetuar më 15-07-2026, 19:25

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka konfirmuar kandidaturën e tij për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, duke hyrë në garë përballë Flamur Nokës.

Kandidatura e Korreshit u bë publike pak para nisjes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku pritet të zhvillohet votimi për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të strukturave të partisë.

I pyetur nga gazetarët nëse kishte zhvilluar fushatë për të siguruar mbështetjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Korreshi u shpreh se nuk e konsideron të nevojshëm një proces të tillë, pasi të dy kandidatët janë figura të njohura brenda Partisë Demokratike.

“Është vendim i ditës së sotme”, deklaroi ai.

Në pyetjen nëse kandidimi ishte një vendim personal, Korreshi u përgjigj: “Nuk më detyron njeri. Na njohin. Lobimi është ajo çka ne përfaqësojmë me njëri-tjetrin. Të gjithë e dinë. Nëse ka ardhur koha që do ndryshojë, do ndryshojë.”

Deputeti demokrat nuk preferoi të komentojë prioritetet e tij në rast se zgjidhet në postin e Sekretarit të Përgjithshëm, duke theksuar se fillimisht duhet të përfundojë procesi i votimit.

Votimi në Këshillin Kombëtar do të përcaktojë nëse Flamur Noka do të vijojë të mbajë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, apo nëse këtë funksion do ta marrë Saimir Korreshi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit