Transmetuar më 15-07-2026, 18:58

Një grua është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka vjedhur rreth 5 mijë euro nga një biznes i transfertave të parave dhe këmbimit valutor në zonën e njohur si “Vorri i Bomit”, vetëm pak orë pasi ishte punësuar.

Sipas informacioneve të publikuara nga Top Channel, e dyshuara, Kumrie Zika, ishte paraqitur si kandidate për punë dhe ishte pranuar nga administruesit e biznesit për shkak të nevojës për staf.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga media, rezulton se gjatë ditës së parë të punës ajo ka qenë nën mbikëqyrjen e një punonjësi tjetër. Megjithatë, në një moment kur ka mbetur vetëm për pak sekonda, dyshohet se ka marrë rreth 5 mijë euro nga arka e biznesit dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Pas denoncimit të bërë nga biznesi, policia ka administruar pamjet filmike, ka identifikuar të dyshuarën dhe e ka arrestuar disa orë më vonë në zonën e “21 Dhjetorit”. Ajo pritet të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë, ndërsa ndaj saj rëndon akuza e vjedhjes.

Sipas të njëjtit burim, hetuesit po verifikojnë edhe dyshimet se e arrestuara mund të ketë përdorur të njëjtën skemë në disa raste të tjera, ku dyshohet se është punësuar përkohësisht në biznese të ndryshme dhe më pas ka kryer vjedhje të shumave të parave. Këto pretendime mbeten pjesë e hetimit dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Po ashtu, është raportuar se emri i saj ka qenë i njohur edhe në media, ku në të kaluarën ka marrë pjesë në emisione televizive për të dhënë opinione mbi çështje të ndryshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit